
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Gjinar, ku 40-vjeçari Florian Tahiri humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e fuqishme e përroit teksa po kalonte urën.
Familjarët ngritën alarmin kur ai nuk u kthye në shtëpi, ndërsa pamjet e kamerave të bizneseve në zonë fiksuan momentin kur ai u rrëmbye nga uji.
Dyshohet se Florian Tahiri ka qenë duke kaluar mbi urë në momentin e fatkeqësisë, ndërsa prurjet e mëdha të ujit, të shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit, e kanë rrëmbyer në mënyrë të menjëhershme.
Kërkimet vijuan gjatë gjithë natës nga zjarrfikësit dhe emergjencat civile, dhe trupi i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes.
Autoritetet po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa komuniteti i zonës është tronditur nga humbja e rëndë.