
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e rrugës së sapopërfunduar “Qukës–Qafë Plloçë”, duke deklaruar se lëvizja në këtë aks është si “të bësh bingo me jetën”. Në emisionin “Oponencë” në News24, ai theksoi se segmenti rrugor ka mangësi të rënda në cilësi dhe ndërtime të pasigurta që rrezikojnë qytetarët.
Salianji tha se kompania që ka ndërtuar rrugën e ka ditur rrezikun e shembjes, duke treguar se një bypass anësor është ndërtuar para se të ndodhnin rrëshqitjet e dherave, gjë që sipas tij tregon njohjen e problemeve nga vetë kontraktori. Ai shtoi se zona pranë Qafë Plloçës ka pasur edhe raste të tjera të rënieve dhe rrëshqitjeve.
Përmes një analogjie, ish-deputeti foli edhe për standardin e ulët moral dhe politik në qeverisje, ku sipas tij ministrat dhe zyrtarët nuk mbajnë përgjegjësi, edhe kur kapen në shkelje.
“Standardi politik është shembur. Sot askush nuk dorëhiqet dhe askush nuk shkarkohet, sepse mbron kryeministri. Kjo krijon një kulturë pandëshkueshmërie,” u shpreh ai.
Salianji shtoi se askush nuk duhet t’u japë zyrtarëve publikë hapësirë për paligjshmëri dhe se situata në këtë aks rrugor është shembulli më i qartë i mungesës së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies.