
Pas reagimit të kryeministrit Rama tre ditë më parë, edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka shprehur shqetësimin ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve britanikë për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me Lord Timpson, Ministrin e Shtetit për Burgjet, Shërbimin e Provës dhe Uljen e Përsëritjes së Veprave Penale të Britanisë së Madhe, Lamallari u ndal te deklaratat e ministres Shabana Mahmood, e cila foli për 700 familje shqiptare që, sipas saj, vijojnë të jetojnë në Britani me financim të taksapaguesve britanikë, pavarësisht refuzimit të kërkesave për azil.
“Narrativat diskriminuese, përçarëse dhe frymëzuese të stereotipeve negative ndaj një kombësie të caktuar janë të padrejta, aspak korrekte dhe siç koha ka dëshmuar, në fund rezultojnë më së paku boshe apo dhe kundërproduktive”, shkroi Lamallari, teksa publikoi edhe foto nga takimi.
Në qendër të takimit mes dy ministrave ishin:
avancimi i marrëveshjes për transferimin e të dënuarve,
koordinimi për rastet e ekstradimit,
forcimi i partneritetit gjyqësor mes dy vendeve.
Kjo nuk është hera e parë që deklaratat nga zyrtarë të lartë britanikë i referohen shqiptarëve në narrativat kundër emigracionit. Edhe ish-Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, ishte kritikuar më herët për komente me tone të konsideruara raciste ndaj komunitetit shqiptar.
Reagimet e qeverisë shqiptare vijnë në një fazë kur Londra ka ashpërsuar diskursin për emigracionin ilegal dhe rolin e bandave kriminale, ndërsa Tirana kërkon shmangien e përgjithësimeve që, sipas saj, dëmtojnë qytetarët dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.