Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, kërkon shfuqizimin e masës “detyrim paraqitje”



Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shfuqizuar masën e sigurisë detyrim paraqitje, që aktualisht e detyron atë të paraqitet dy herë në muaj në SPAK. Lëvizja vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama dorëzoi një kërkesë të ngjashme për pezullimin e detyrës së zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kërkesa e Berishës synon të rrëzojë vendimin e janarit të këtij viti të gjyqtarit Engert Pëllumbi në Apelin e GJKKO, i cili zëvendësoi arrestin në shtëpi me masën e detyrimit të paraqitjes. Sipas padisë, kjo masë konsiderohet e papajtueshme me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën për shqyrtim dhe ka caktuar relatore gjyqtaren Fiona Papajorgji. Seanca e parë do të zhvillohet më 20 janar 2026.

Paralelisht, Berisha ka kërkuar edhe rivlerësimin kushtetues të masës së arrestit shtëpiak, e cila tashmë është hequr. Më 17 dhjetor pritet të mbahet seanca ku do të shqyrtohet nëse masa që e mbajti atë për 11 muaj në arrest shtëpie ishte në përputhje me Kushtetutën.

Ndryshe nga rasti i arrestit në shtëpi, Gjykata Kushtetuese është shprehur më parë për masën detyrim paraqitje. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo e konsideroi këtë masë si jo kufizuese të funksioneve parlamentare të një deputeti dhe vlerësoi se nuk kishte nevojë për autorizim nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj Berishës.

Proceset mbeten në zhvillim, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë nëse masat e vendosura ndaj kreut të PD-së janë në përputhje me garancitë kushtetuese.