Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama shantazhohet nga Balluku, prandaj nuk e shkarkon


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku pas vendimit të gjykatës për pezullimin e saj nga detyra, duke deklaruar se Rama është i shantazhuar nga aferat e përbashkëta.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se kryeministri po vepron si “avokat i të pandehurës për abuzime me tenderat publikë”, duke sfiduar drejtësinë dhe standardet demokratike.

“Ka një arsye pse Edi Rama nuk mundet ta shkarkojë: Belinda Balkuku e ka ulur në gjunjë dhe e shantazhon me aferat e përbashkëta të abuzimit me pushtetin,” deklaroi Bardhi.

Ai tha se çështja e tunelit të Llogarasë është vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa akuzoi se tenderi 190 milionë euro u paracaktua nga Rama dhe Balluku përpara se të hapej gara.

“Kompaninë fituese nuk e përcaktoi vetëm Belinda Balluku. Ajo u paracaktua bashkë me Edi Ramën. Mesazhet e Belindës ndodhen në telefonin e Ervis Berberit dhe ashtu siç ka mesazhet e saj, ka edhe mesazhet e Edi Ramës,” theksoi ai.

Bardhi prezantoi edhe një foto të vitit 2021, për të cilën tha se tregon Ramën dhe Ballukun me përfaqësues të kompanisë që më pas fitoi tenderin.

Duke e krahasuar me rastin e ish-kryeministrit portugez António Costa, i cili dha dorëheqje sapo u përfshi në hetim, Bardhi tha se standardet europiane nuk respektohen në Shqipëri.

“Në Europë politikanët mbajnë përgjegjësi. Ndërsa në Shqipëri, kryeministri bëhet avokat i një të pandehure të SPAK-ut dhe sulmon gjyqtarët e prokurorët duke u shpallur mbi ligjin,” u shpreh ai.

Sipas Bardhit, vendimi i Ramës për të mos e shkarkuar Ballukun “është çmimi që po paguajnë shqiptarët”.

“Sot Edi Rama konfirmoi me zë dhe figurë se është pupac i Belinda Ballukut. Ajo është e pandehur për dy tendera që kapin 210 milionë euro, dhe kjo nuk ka bërë vaki askund në Europë,” deklaroi ai.

Bardhi bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e PD-së të hënën në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.

“Ju takon ju, na takon të gjithëve që të ngrihemi kundër këtij sistemi të korruptuar që ka ndërtuar Edi Rama për 12 vite,” tha ai.