Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet në Elbasan shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe shkëputje të energjisë elektrike



Situata e motit në qarkun e Elbasanit vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga Emergjencat Civile, pasi reshjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar disa probleme në infrastrukturë dhe furnizimin me energji. Gjatë natës janë regjistruar 33 mm shi, me intensitet të ulët deri mesatar, duke sjellë vështirësi të menaxhueshme në disa zona.

Rënie gurësh dhe inertesh janë raportuar në disa segmente, përfshirë aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, në kthesat e Murrashit, si dhe aksin Gramsh–Moglicë, ku reshjet kanë shkaktuar aluvione. Ndërhyrjet e menjëhershme të firmave të mirëmbajtjes kanë mundësuar pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Prurjet në përruan e Zaranikës dhe të Pajunit paraqiten brenda normave. Lumenjtë Shkumbin dhe Devoll kanë shënuar nivele pak mbi mesataren, por pa rrezik për dalje nga shtrati apo përmbytje. Edhe lumi i Kërpices në zonën e Kushovës paraqitet i stabilizuar, me prurje të reduktuara.

Probleme në furnizimin me energji janë shënuar në disa zona malore, përfshirë Sopotin në bashkinë Prrenjas, fiderin e Banjës në Gramsh, si dhe fshatrat Selitë dhe Mollas në bashkinë Cërrik. Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë sa më shpejt.

Emergjencat Civile të Prefekturës Elbasan vijojnë monitorimin e plotë të situatës në të gjithë qarkun dhe mbeten në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të motit.