
E pyetur mbi hetimet ndaj zv.kryeministres Balluku, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos tha se raste korrupsioni ka edhe brenda BE-së por e rëndësishme është zbulimi i tyre dhe puna e institucioneve për t’i luftuar rastet në fjalë.
Në një përgjigje për DW, zyertarja e lartë tha se nuk I vjen aspak mirë që dëgjon për këto raste por vlerësoi punën e SPAK-ut.
DW: Ju përmendët SPAK-un, gjithashtu folët për prokurimet publike, luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha këto me sjellin ndërmend rastin e zv.kryeministres aktuale, që është nën hetim. Ka gjithashtu një tjetër ish-zëvendëskryeministër në arrati. Në të dyja këto raste kemi korrupsion të nivelit të lartë.
Kos: “Për mua ky është një hap përpara sepse këto raste janë zbuluar. Nuk jam e lumtur të dëgjoj për këto raste. E njëjta gjë vlen për Ukrainën por kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë.
Siç e kam thënë edhe më parë, ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda Bashkimit Evropian. Ato ndodhin kudo. E rëndësishme është të kemi institucione, vendet kandidate i kanë institucionet për t’i luftuar këto raste.
Më pas do jetë sistemi gjyqësor ose gjykatat që do zbulojnë nëse ligji është shkelur dhe nëse është shkelur se çfarë do ndodhë më pas.”