Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi zhvillon takim me zyrtarin e DASH-it Mark Fleming, kërkon luftë reale ndaj krimit të organizuar



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur takimin e tij me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mark Fleming.

Në një postim publik, Bardhi thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner kyç për Shqipërinë dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit europian. Ai nënvizon se vendi ka nevojë për një luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar, duke theksuar se për këtë kërkohet një qeverisje e përgjegjshme dhe një sistem drejtësie i pavarur dhe me integritet.

Në deklaratën e plotë, Bardhi shkruan:

“Kënaqësi takimi me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit z. Mark Fleming. Lufta ndaj krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i çdo vendi anëtar të NATO-s. Shqipëria ka nevojë për luftë reale ndaj krimit të organizuar, dhe për këtë nevojitet një qeverisje e përgjegjshme, e pa lidhur me krimin e organizuar, si dhe një drejtësi të pavarur dhe me integritet. SHBA ka qenë dhe mbetet një partner kyç në mbështetjen e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.”