Vendosni fjalën kyçe....

Ibrahimaj në celje të Javës globale të Sipërmarrjes: Paketa fiskale lehtëson korporatat që financojnë për ekosistemin e start up-eve


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “Java globale e Sipërmarrjes”, që po zhvillohet nga 17-23 Nëntor në Tiranë, me moton “Së bashku ndërtojmë”.

Këtë vit, Java Globale e Sipërmarrjes është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore si politik-modernizimi ekonomik përmes inovacionit; ekosistem-Shqipëria si qendër inovacioni në rajon; përfshirje- inovacion për çdo qytetar dhe edukim- aftësimi i brezit të së ardhmes.

Në fjalën e saj Ministrja Ibrahimaj u shpreh, se është viti i tretë rradhazi që organizojmë këtë javë, pra një javë e dedikuar nevojave të sipërmarrjes, është një javë në të cilën shumë nga vendet e botës përqëndrohen, bëjnë evente, bëjnë aktivitete, bëjnë takime, me qëllim diskutimin se si mund të nxitet ekonomia nëpërmjet sipërmarrjes, se si gjithmonë e më shumë inovacioni është çelësi i zhvillimit ekonomik.

Sipas Ministres, këtu  shkëmbejmë idetë dhe eksperiencat sipërmarrjet dhe sesi politikat publike mund të ndërlidhen dhe duhet të ndërlidhen me qëllim nxitjen e sektorit privat.

 Ajo e vlerësoi biznesin si motori kryesor i zhvillimit ekonomik,  dhe theksoi,  se ne mund të hartojmë politika më gjithëpërfshirëse, mund të krijojmë instrumenta financiar më efikas, dhe se është mjaft i rëndësishëm dixhitalizimi për rritjen e produktivitetit dhe ngritjen e cilësisë së standarteve të produkteve apo shërbimeve që ne prodhojmë.

Gjithëpërfshirja është mjaft e rëndësishme, tha Ibrahimaj, ku vetem gjatë një jave zhvillohen afro 63 evente te ndryshme, jo vetem në Tiranë, por edhe në qytete të tjera që kanë potencial të lartë për zhvillim, për inovacion, kanë rini e cila ka nevojë të mbështetet, të aftësohet, kanë biznese të cilat kanë potencial për tu zhvilluar.

Ministrja Ibrahimaj përcolli dhe risinë që për herë të parë gjatë kësaj jave do të prezantohen dy raporte mjaft të rëndësishme për ekonominë tonë.

“Në radhë të parë do të prezantohet raporti i ekosistemit të start up-eve, që është i pari i llojit të vet, i hartuar në bashkëpunim me Start up GNOM dhe raport i  trendeve të tregut të punës në sektorin e teknologjisë së informacionit, si një sektor që vit pas viti është rritur dhe punëson një numër të madh të punësuarish me paga të larta dhe që ndikon në ekonominë shqiptare,  por pse jo, të ndërkombëtarizojë bizneset shqiptare, prodhimet shqiptare.”

Duke iu referuar modernizimit, digjitalizimit dhe inovacionit të  të sipërmarrjes,  Ministrja Ibrahimaj  u bëri me dije  dhe lehtësitë që po ndërmerren nga Qeveria në paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

Që nga viti i ardhshëm nëpërmjet paketës fiskale që pritet të miratohet brenda këtyre javëve në Parlament, kemi vendosur një instrument të cilin besojmë fort që është i rëndësishëm për zhvillimin e inovacionit dhe të ekosistemit të start up-eve, të ndërlidhura me korporatat. Nga viti i ardhshëm të gjitha sponsorizimet, financimet për ekosistemin e start up-eve që korporatat do të bëjnë, do të njihen si shpenzim i zbritshëm deri në nivelin 5% të fitimit përpara tatimit, tha Ibrahimaj, duke shtuar,  se kjo do të nxisë korporatat të investojnë në kërkim zhvillim, në inovacion dhe në të gjithë nxitjen e inovacionit në sektorin privat”, tha ajo.

“Java globale e sipërmarrjes 2025” mblodhi në Tiranë qindra biznese vendase dhe të huaja, të cilat shkëmbejnë eksperinca  dhe përvoja në fusha të ndryshme.

Ndërsa në 2024, “Java  globale e sipërmarrjes mblodhi së bashku 1200 pjesëmarrës, sipërmarrës, biznese, politikëbërës dhe studentë, duke u realizuar 46 evente me mbështetjen e 30 partnerëve.