Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria amerikane njofton goditjen më të fundit ndaj një varke të dyshuar për trafik droge në Paqësorin lindor


Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer një tjetër goditje ndaj një varke të dyshuar për trafik droge në Paqësorin lindor të shtunën, duke vrarë tre persona, sipas një njoftimi të publikuar të dielën në X nga Komanda Jugore e SHBA-së.

Goditja e fundit është të paktën e 21-ta që ushtria ka kryer ndaj varkave të dyshuara për drogë gjatë mandatit të dytë të Presidentit Trump, duke ngritur shqetësime tek disa ligjvënës.

Në njoftimin e saj, Komanda Jugore theksoi se goditja u urdhërua nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Postimi pretendoi se varka ishte “operuar nga një Organizatë e Designuar Terroriste” dhe po “trafikonte narkotikë në Paqësorin Lindor”, duke shtuar se goditja ndodhi në ujëra ndërkombëtare.

“Inteligjenca konfirmoi se mjeti lundrues ishte i përfshirë në kontrabandë të paligjshme narkotikësh, duke lundruar përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës dhe duke transportuar narkotikë,” thuhet në njoftim, përcjell NBC.

Videoja e publikuar nga Komanda Jugore duket se tregon se goditja shkakton një valë të madhe pranë varkës, e cila më pas përfshihet nga flakët.

Njoftimi vjen disa ditë pasi NBC News raportoi se administrata Trump kishte kryer goditjen e 20-të të këtij lloji, sipas një zyrtari të Pentagonit. Ajo goditje u krye në Detin e Karaibeve.

Sulmet e mëparshme janë kryer si në Karaibe, ashtu edhe në Paqësorin lindor, dhe kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 75 personave, sipas zyrtarëve.

Njoftimi i së dielës përkoi me mbërritjen në Karaibe të aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, një nga anijet më të mëdha luftarake të SHBA-së.

Goditjet kanë shkaktuar polemika në Kongres, pasi demokratët dhe disa republikanë i cilësojnë veprimet e administratës si tejkalim të kompetencave që anashkalon ligjvënësit.

Por në tetor, Senati rrëzoi një rezolutë që kërkonte nga Trump të merrte miratimin e Kongresit për goditje ushtarake në Karaibe. Më herët këtë muaj, Senati rrëzoi një tjetër rezolutë që do të kërkonte autorizim të Kongresit për çdo veprim ushtarak ndaj Venezuelës.

Senatorët republikanë Lisa Murkowski nga Alaska dhe Rand Paul nga Kentucky u bashkuan me demokratët për të kërkuar detyrimin për autorizim nga Kongresi.

Paul tha në tetor, në një intervistë për NBC News në “Meet the Press”, se goditjet “bien ndesh me gjithë traditën tonë”.

Ai ngriti shqetësime për faktin që persona po vriten pa ofruar provat e një krimi, duke theksuar mundësinë që disa nga të vrarët të jenë të pafajshëm.