
Shoqata e Gazetarëve Europianë (AEJ) zhvilloi asamblenë e saj vjetore ndërkombëtare në Bruksel, ku delegatët e degëve nga e gjithë Europa morën pjesë në punimet dhe zgjedhjet e radhës.
Me 90% të votave, gazetari shqiptar Arbër Hitaj u rizgjodh për herë të dytë në krye të një prej shoqatave më të vjetra të kontinentit. Në fjalën e tij pas votimit, Hitaj falënderoi delegatët për mbështetjen dhe u angazhua për forcimin e lirisë së medias, luftën kundër lajmeve të rreme dhe mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet dhe presionet.
Ai theksoi se, pavarësisht sfidave që po kalon Europa në këtë drejtim, ajo mbetet modeli më i qëndrueshëm dhe më i respektuar për mbrojtjen e profesionit të gazetarit.
Hitaj prezantoi gjithashtu prioritetet e mandatit të ri, mes të cilave hapja e seksioneve të reja të AEJ në Europën Veriore dhe në rajone të tjera të kontinentit.
Në asamblenë e Brukselit u zgjodhën edhe tre zëvendëspresidentët e rinj të Shoqatës, përfaqësues nga Spanja, Austria dhe Bullgaria.