
Presidenca libaneze tha të shtunën se Libani do bëjë një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër Izraelit lidhur me ndërtimin e një muri betoni përgjatë kufirit jugor, për të cilin Bejruti thotë se shtrihet përtej Vijës Blu të demarkuar nga OKB-ja.
Vija Blu, e vendosur nga Kombet e Bashkuara (OKB), ndan Libanin nga Izraeli dhe Lartësitë Golan. Forcat izraelite u tërhoqën në atë vijë kur u larguan nga Libani jugor në vitin 2000.
Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, tha të premten se muri ka bërë që më shumë se 4,000 metra katrorë (pothuajse një hektar) territor libanez të jetë i paarritshëm për banorët lokalë. Presidenca libaneze i bëri jehonë shqetësimit, duke e quajtur ndërtimin “një shkelje të Rezolutës 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.”
Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka kërkuar që Izraeli ta heqë murin, tha Dujarric.
Një zëdhënës ushtarak izraelit mohoi se muri kalon Vijën Blu, duke thënë se ai është pjesë e një plani më të gjerë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) që filloi ndërtimin në vitin 2022.
“Që nga fillimi i luftës, dhe si pjesë e mësimeve të nxjerra prej saj, IDF ka avancuar një sërë masash, duke përfshirë forcimin e barrierës fizike përgjatë kufirit verior,” tha zëdhënësi.
UNIFIL, e themeluar në vitin 1978, operon midis Lumit Litani dhe Vijës Blu. Misioni përfshin më shumë se 10,000 trupa nga 50 vende dhe rreth 800 staf civil, sipas uebsajtit të tij, shkruan Ynet.