Vendosni fjalën kyçe....

Meloni në konferencë me Ramën: Shqipëria sillet si një vend i BE-së, ndajmë të njëjtin vizion në arenën ndërkombëtare


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka vlerësuar sot marrëdhëniet e ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive në Romë.

Meloni theksoi se Italia dhe Shqipëria ndajnë të njëjtin vizion politik dhe strategjik në arenën ndërkombëtare, ndërsa e përshkroi Shqipërinë si një partner të besueshëm, që po vepron tashmë “si një vend i Bashkimit Evropian.”

Ajo bëri të ditur se brenda pak ditësh pritet të hapet kapitulli i fundit teknik për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

“Do të ishte e rëndësishme që negociatat të përfundonin gjatë periudhës kur Italia do të mbajë kryesinë e Bashkimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026,” deklaroi Meloni.

Sipas saj, procesi i zgjerimit të BE-së duhet parë “jo si një shtim i vendeve anëtare, por si një ribashkim i Evropës.”

“Shqipëria është një vend evropian. Detyra jonë është të ndjekim këtë proces me seriozitet dhe me ritëm sa më të shpejtë,” tha Meloni.