Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët në Kongresin amerikan publikojnë emaile të reja të Jeffrey Epstein-it ku përmendet Donald Trump


Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë publikuar një seri të re dokumentesh dhe emailesh të marra nga pasuria e Jeffrey Epstein-it, në të cilat përmendet disa herë presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas deklaratës së Komisionit të Mbikëqyrjes, mes materialeve të publikuara gjendet një email i vitit 2011 mes Epstein-it dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, ku Epstein shkruan: “Dua të kuptosh që ai qeni që s’ka lehur është Trump… [Viktima] kaloi orë të tëra në shtëpinë time me të, por asnjëherë nuk është përmendur. Shefi i policisë, etj. Jam 75% aty.”

Maxwell i përgjigjet: “Kam qenë duke menduar për këtë…”

Emaili është publikuar nga demokratët e Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës, të cilët e cilësuan si “një goditje ndaj përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të fshehur të vërtetën mbi çështjen Epstein”.

Në një tjetër email të vitit 2019 mes Epstein-it dhe autorit Michael Wolff, Epstein pretendon se “Trump e dinte për vajzat pasi i kërkoi Ghislaine-s të ndalonte”.

Po sipas demokratëve, në të njëjtën korrespondencë diskutohen edhe mënyra për të “formuluar një përgjigje” për një intervistë të ardhshme të Trump-it në CNN, me Wolff-in që “përshkruan ndikimin që Epstein mund të kishte mbi Trump-in”.

Në total, pasuria e Epstein-it ka dorëzuar 23,000 dokumente që aktualisht po shqyrtohen nga demokratët në Komisionin e Mbikëqyrjes.

Kongresmeni demokrat Robert Garcia, anëtar i lartë i këtij komisioni, deklaroi:

“Sa më shumë që Donald Trump përpiqet të fshehë dosjet Epstein, aq më shumë ne zbulojmë. Këto emaile ngrenë pyetje serioze mbi atë që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të fshehë dhe mbi natyrën e marrëdhënies mes Epstein-it dhe presidentit. Departamenti i Drejtësisë duhet t’i publikojë menjëherë të gjitha dosjet Epstein për publikun.”

Publikimi i emailit vjen në të njëjtën ditë kur pritet që Kongresi të sigurojë nënshkrimin e 218-të për të detyruar një votim për ligjin “Epstein Files Transparency Act”, që do të kërkojë publikimin e plotë të dokumenteve të paklasifikuara mbi rastin.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi publikimin e fundit, përcjell BBC.

Trump ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në aktivitetet e paligjshme të Epstein-it, duke i quajtur akuzat ndaj tij një “gënjeshtër të fabrikuar nga Partia Demokrate”.

Ai ka pranuar se njihte Epstein-in në vitet 1990 dhe fillim të 2000, por ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre përfunduan rreth vitit 2004, kur, sipas Shtëpisë së Bardhë, “Trump e përjashtoi nga klubi i tij për shkak të sjelljes së papërshtatshme”.

Ghislaine Maxwell, e cila po vuan dënimin në SHBA për trafik seksual të miturish, mohoi në një intervistë në korrik të ketë parë ndonjë sjellje të papërshtatshme nga Trump apo nga ish-presidenti Bill Clinton, të dy të përmendur në dokumente si ish-njohje të Epstein-it.

Ajo gjithashtu ka mohuar ekzistencën e një “liste klientësh” dhe aktualisht po kërkon falje presidenciale nga Trump.

Familja e Virginia Giuffre – një prej viktimave kryesore të Epstein-it që u vetëvra më herët këtë vit – e ka dënuar intervistën, duke akuzuar autoritetet se “po i japin Maxwell-it një platformë për të rishkruar historinë”.

Publikimi i dokumenteve ka ndezur përsëri debatin politik në Uashington, ndërsa demokratët akuzojnë administratën Trump për “fshehje sistematike” të të dhënave, ndërsa republikanët e quajnë nismën “sulm politik të orkestruar”.