
Banorët e fshatit Çërravë kanë zhvilluar sot një protestë duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarit të tyre Kevi Muçollari. Ky I fundit u përplas fizikisht me një anëtar të Këshillit Bashkiak të Pogradecit, pasi këshilli miratoi dhënien e një sipërfaqeje për një impiant fotovoltaik.
Ata thonë se arrestimi I Muçollarit është i padrejtë dhe se është i motivuar politiksht.
Një bashkëfshatar I Muçollarit theksoi se protesta ka nisur për mbrojtjen e tokave të fshatit, ku është parashikuar të vendosen panele diellore.
“Po i vunë ato, fshati mbaron. Ne do vazhdojmë të protestojmë edhe në Pogradec, derisa Kevi të lirohet,” tha ai.
Sipas dëshmitarëve, gjatë mbledhjes së këshillit, Muçollari është provokuar nga një këshilltar që votoi pro projektit për tokat e fshatit Çërravë, gjë që shkaktoi tensione në sallë.
Banorët e Çërravës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat deri në lirimin e bashkëfshatarit të tyre dhe në anulimin e vendimit për ndërtimin e paneleve diellore në tokat e fshatit.