
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përpoq sot të qetësonte spekulimet e forta të mediave rreth një riorganizimi të mundshëm në nivelet më të larta të politikës së jashtme ruse. Arsyeja për spekulim ishte mungesa e theksuar e ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov, në një takim të Këshillit të Sigurimit të mërkurën, ku presidenti Vladimir Putin foli mbi mundësinë e testimit bërthamor në shkallë të plotë.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në këto raporte,” tha Peskov në një konferencë me gazetarët të premten. “Lavrov vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm, sigurisht.”
Të mërkurën, e përditshmja ruse e biznesit Kommersant, duke cituar “burime”, ngriti dyshime duke raportuar se diplomati veteran “mungoi me marrëveshje” nga takimi i nivelit të lartë me Putinin.
Vëzhguesit vunë në dukje se Lavrov ishte i vetmi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit që mungoi në takim. Dhe paralelisht, u zbulua se ministri i Jashtëm nuk do të drejtonte delegacionin rus në samitin e G20-s në Johanesburg më vonë këtë muaj: Më 4 nëntor, Putin nënshkroi një dekret, duke caktuar një zyrtar më të ri, zëvendësshefin e Stafit të Zyrës Ekzekutive Presidenciale, Maxim Oreshkin, për të drejtuar delegacionin.
Lajmi për mungesën e Lavrov erdhi vetëm disa javë pas dështimit të një plani për një samit personal në Budapest midis Putinit dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Lavrov ishte njeriu kyç i Rusisë për realizimin e kësaj, por pas një telefonate midis Lavrovit dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, samiti u pezullua. Zyrtarët amerikanë thanë se rusët nuk kishin lëvizur nga pozicioni i tyre ndaj Ukrainës duke bërë që administrata Trump btë ecte përpara me sanksione të reja ndaj Moskës.
Lavrov ka qenë fytyra e diplomacisë ruse për mbi dy dekada dhe më parë ka shërbyer si ambasador i Rusisë në Kombet e Bashkuara. Ai i ka shërbyer Putinit me besnikëri gjatë një periudhe konfrontimi të fortë rus me Perëndimin, nga lufta e shkurtër ruso-gjeorgjiane e vitit 2008 dhe pushtimi e aneksimi i Krimesë në 2014 deri te hyrja e Moskës në luftën civile siriane në 2015. Ai ka qenë gjithashtu një mbrojtës i plotfuqishëm i pushtimit rus të Ukrainës në 2022.
Lavrov, 75 vjeç, ka kultivuar gjithashtu një stil të hapur dhe konfrontues të diplomacisë që shpesh është përshtatur me aspiratat të Putinit. Në samitin e fundit në Anchorage, Alaska, me Trump, ministri i Jashtëm rus mbërriti i veshur me një pulovër të zbukuruar me logon çCP, inicialet cirilike për Bashkimin Sovjetik, shkruan CNN.
Por provokimet mund të shkojnë vetëm deri në një pikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për administratën Trump. Pasi Trump sinjalizoi se takimi i Budapestit ishte anuluar, Kirill Dmitriev, kreu i fondit sovran rus dhe një i dërguar special i Kremlinit, fluturoi në Shtetet e Bashkuara për atë që disa vëzhgues e panë si një lëvizje për të zbutur dëmin.