Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Mazhoranca bllokon debatet, Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën për kapje të plotë të Kuvendit dhe mbyllje të hapësirave të debatit parlamentar, duke e cilësuar këtë situatë si “fundin e rolit kushtetues të Parlamentit”.

E ftuar në News24, Tabaku u shpreh se Kuvendi është kthyer në “noter të qeverisë”, ndërsa opozitës i mohohen të gjitha mjetet për të ushtruar kontrollin demokratik. “Për tetë vite kam qenë deputetja më aktive në sallë, por që prej nisjes së këtij Kuvendi nuk kemi folur. Dje prita gjithë ditën për të marrë fjalën dhe nuk arrita të them as ato që kisha përgatitur,” tha ajo.

Sipas Tabakut, çdo herë që mazhoranca nuk dëshiron debat, kalon menjëherë në votim, duke e kthyer Kuvendin në një institucion formal që nuk përfaqëson qytetarët. “E thotë edhe raporti zyrtar se Kuvendi është vartëse e qeverisë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Roli i opozitës është kyç për demokracinë dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse,” shtoi ajo.

Deputetja demokrate tha gjithashtu se opozitës i janë refuzuar mocionet me debat, interpelancat dhe kërkesat sipas rregullores, ndërsa e vetmja çështje e pranuar deri më tani ka qenë debati për progres-raportin dhe raportin e ODIHR-it. “Nëse mazhoranca bllokon Kuvendin, ne duhet të gjejmë mënyra për të hapur debatin,” theksoi Tabaku.

Duke iu referuar diskutimeve për buxhetin e kaluar, ajo paralajmëroi për rrezikun që paraqesin kontratat koncesionare për financat publike. “Ka procedura të parregullta dhe 70 projekte të hapura vetëm nga Ministria e Energjetikës. Problematikat janë të pafundme, pa folur për keqpërdorimin e fondeve publike,” përfundoi Tabaku.