Vendosni fjalën kyçe....

Bozdo: Balluku duhet të japë llogari për borxhet mes institucioneve, punësime me kuç e maç për vota


Deputeti i Partisë Demokratike, Roland Bozdo, ka kritikuar ashpër qeverinë në Kuvend gjatë diskutimeve për raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi buxhetin e vitit 2024 dhe menaxhimin e fondeve publike.

Ai ka kërkuar llogari nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për borxhet mes institucioneve energjetike dhe për mungesën e saj në seancë.

“Mirë do të ishte që, megjithë hallet që ka, ministrja e Infrastrukturës të ishte këtu” – tha Bozdo, duke theksuar se borxhi mes KESH, OST dhe OSHE-së ka arritur në 17 milionë euro, një shifër që e cilësoi “të jashtëzakonshme”.

Deputeti ngriti shqetësime edhe për detyrimet e prapambetura në administratën tatimore dhe doganore, si dhe për taksat e papaguara nga qytetarët:

1.5 milionë euro detyrime nga Drejtoria e Tatimeve

500 milionë euro nga Doganat

2.6 miliardë lekë taksa të papaguara nga qytetarët

Sipas tij, nuk po bëhen përpjekjet e nevojshme për mbledhjen e këtyre borxheve, ndërkohë që në administratë po rikthehen punësimet partiake.

“Janë kthyer në trend punësimet partiake, ku marrin aty ‘me kuç e maç’. E njëjta gjë ndodh edhe me sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve” – deklaroi Bozdo, duke shtuar se një drejtor në Tiranë kishte emëruar 40 këshilltarë, gjë që sipas tij, kryeministri Rama nuk e kishte ditur.

Ai kërkoi që raportet e KLSH të lexohen në kontekst të plotë dhe jo të shkëputura, duke paralajmëruar se mungesa e transparencës dhe llogaridhënies po dëmton seriozisht financat publike dhe besimin e qytetarëve.