Vendosni fjalën kyçe....

“Kina do e mundë SHBA-në në garën e inteligjencës artificiale” – Shefi i Nvidia-s


Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, paralajmëron se Kina do e mundë SHBA-në në garën e inteligjencës artificiale (AI), falë kostove më të ulëta të energjisë dhe rregulloreve më të lira.

Në komentet më të forta të bëra deri tani nga kreu i kompanisë më të vlefshme në botë, Huang i tha FT: “Kina do e fitojë garën e AI-së.”

Vërejtjet e Huang vijnë pasi administrata Trump mbajti në fuqi një ndalim për shitjen e çipave më të përparuara të Nvidia-s te Pekini, pas një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut kinez Xi Jinping javën e kaluar.

Shefi i Nvidia tha se perëndimi, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, po mbahej pas nga “cinizmi”.

“Na duhet më shumë optimizëm,” tha Huang të mërkurën në margjinat e samitit “E ardhmja e AI-së” të Financial Times.

Huang veçoi rregullat e reja mbi AI-në nga shtetet amerikane që mund të çojnë në “50 rregullore të reja”. Ai e krahasoi këtë qasje me subvencionet kineze të energjisë që e bënë më të përballueshme për kompanitë lokale të teknologjisë të përdorin alternativat kineze të çipave të AI të Nvidia-s. “Energjia është falas,” tha ai.

FT raportoi këtë javë se Kina ka rritur subvencionet e energjisë për disa qendra të mëdha të të dhënave të drejtuara nga gjigantët kinezë të teknologjisë, përfshirë ByteDance, Alibaba dhe Tencent.

Qeveritë lokale kanë forcuar stimujt e energjisë pasi grupet kineze të teknologjisë u ankuan tek rregullatorët për rritjen e kostove të përdorimit të gjysmëpërçuesve vendas nga kompani si Huaëei dhe Cambricon, thanë persona të njohur me çështjen. Shumica e sistemeve të tilla janë më pak efikase në energji sesa ato të prodhuara nga Nvidia.

Huang ka paralajmëruar më parë se modelet më të fundit amerikane të AI nuk ishin shumë përpara rivalëve të tyre kinezë, duke i kërkuar qeverisë amerikane të hapte tregun për çipat e saj për të mbajtur pjesën tjetër të botës të varur nga teknologjia e saj.

Por pas takimit të tij me Xi, Trump tha javën e kaluar se nuk donte të lejonte Kinën të përdorte çipat më të avancuara Blackëell të Nvidia.

“Më të avancuarat, nuk do të lejojmë askënd tjetër t’i ketë përveç Shteteve të Bashkuara,” i tha Trump CBS-së.

Nvidia mbajti një konferencë zhvilluesish në Uashington DC javën e kaluar, duke theksuar përpjekjet e prodhuesit të çipave për të fituar aleatë në qeveri.

Kapitalizimi i tregut të grupit arriti në 5 trilion dollarë për herë të parë javën e kaluar, i nxitur nga komentet e Trump se ai planifikonte të diskutonte çështjen Blackëell me Xi në Korenë e Jugut. Por biseda e tyre nuk e mbuloi në fund temën, u tha presidenti amerikan më vonë gazetarëve, shkruan FT.

Trump kishte sugjeruar më parë se Nvidia do rifitonte qasjen në Kinë për një version të modifikuar të procesorëve të saj më të fundit.

Komentet e tij erdhën pasi Nvidia dhe AMD ranë dakord t’i paguanin qeverisë amerikane 15 për qind të të ardhurave kineze nga shitjet e procesorëve ekzistues të AI të përshtatur për tregun.

SHBA ende nuk ka miratuar rregulloret e nevojshme për të lejuar shitje të tilla.

Shqetësimi i SHBA-së mbi progresin kinez në AI është rritur gjatë gjithë vitit që kur DeepSeek, një laborator i vogël kinez i AI, tronditi botën me sofistikimin e modelit të tij të madh gjuhësor.

Publikimi i modelit DeepSeek në janar ndezi një debat të zjarrtë në Silicon Valley nëse kompanitë amerikane të AI me burime më të mira, përfshirë OpenAI dhe Anthropic, mund të mbronin epërsinë e tyre teknike.