Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja e kryebashkiakut meksikan të vrarë merr detyrën e tij, zotohet të luftojë kartelet


Gruaja e një kryebashkiaku të vrarë gjatë festimeve të Ditës së të Vdekurve në shtetin meksikan të Michoacan, që është përballur me dhunë të shtuar, mori të mërkurën punën e burrit të saj, duke u zotuar se do vijojë luftën e nisur prej tij kundër karteleve të drogës.

Grecia Quiroz u betua për të zëvendësuar burrin e saj, Carlos Manzo, si kryebashkiake e Uruapan, e njohur si kryeqyteti i avokados në Meksikë, pasi kongresi i shtetit dha miratimin njëzëri për këtë lëvizje.

“Sot vij me zemër të thyer sepse ma morën partnerin e jetës, babain e fëmijëve të mi, por gjithashtu me guximin dhe forcën me të cilën ai u ngrit për të luftuar,” tha Quiroz gjatë betimit të saj.

“Ata nuk do më heshtin, do ndjek hapat e tij,” shtoi ajo, duke mbajtur kapelën e burrit të saj të ndjerë si simbol të lëvizjes.

Një person me armë zjarri dhe i maskuar qëlloi dhe vrau Manzo-n, 40 vjeç, të shtunën mbrëma ndërsa ai merrte pjesë në një festival me qirinj, në një sulm që ndezi zemërim kombëtar, pjesërisht për shkak të kritikave të tij të hapura ndaj qeverisë federale se nuk po bënte më shumë për të luftuar krimin e organizuar.

Pak çaste para të shtënave, Manzo kishte mbajtur një fjalim në qytetin me 350,000 banorë dhe kishte mbajtur në krahë djalin e tij të vogël, të veshur si skelet.

Manzo kishte shprehur frikën për sigurinë e tij, ndërsa ende fliste hapur kundër karteleve të fuqishme të drogës që janë ngulitur në biznesin fitimprurës të avokados dhe limonit. Carlos Bautista, udhëheqës i Lëvizjes së Pavarur të Kapeleve, së cilës i përkiste Manzo, i tha Reuters se kryebashkiakja e re do mbrohet nga të paktën 14 agjentë sigurie.

“Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë më kurrë,” tha Bautista për vrasjen e Manzo-s, duke shtuar se disa prej aleatëve politikë të Manzo-s kanë marrë gjithashtu kërcënime me vdekje.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Michoacan nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me kërcënimet e supozuara me vdekje.

Ka një pakënaqësi në rritje në Michoacan për shkak të dhunës që po e mundon rajonin, ku prodhuesit e limonit dhe avokados kanë denoncuar prej vitesh zhvatje, rrëmbime dhe vrasje të lidhura me dhunën e kartelit. Një udhëheqës nga sektori lokal i avokados, Bernardo Bravo, u vra në tetor.

Vrasja e Manzo shkaktoi një valë dhune në Michoacan, përfshirë edhe nga banorët që kërkonin drejtësi. Në kryeqytetin e shtetit, Morelia, protestuesit vandalizuan ndërtesat qeveritare dy ditë radhazi, shkruan Reuters.

Autoritetet kanë arrestuar dy persona në lidhje me vrasjen e Manzo-s dhe janë zotuar të vijojnë hetimet. Sheinbaum tha se ajo u takua gjithashtu personalisht me Quiroz dhe vëllain e Manzo-s.

“Ata kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe që ky hetim të shkojë deri në fund,” tha Sheinbaum.