Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi kërkon Komision Hetimor për fondet IPARD: Mosmiratimi është shkelje e Kushtetutës dhe dhunë ndaj opozitës


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për hetimin e përdorimit të fondeve IPARD, gjatë Konferencës së Kryetarëve të mbajtur sot në Kuvend.

Bardhi theksoi se kjo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe një mekanizëm kontrolli që nuk mund të pengohet nga mazhoranca.

Ai argumentoi se hetimi parlamentar nuk bie ndesh me procesin penal të nisur nga Prokuroria, por përbën një procedurë të pavarur administrative në kompetencat e Kuvendit.

“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria thotë se ka hetim penal, tregon se ekziston një problematikë. Kjo është thënë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Prokuroria ka punën e vet, ndërsa Kuvendi ka fushat e veta, Kuvendi bën hetim administrativ” – tha Bardhi.

Ai kërkoi miratimin me konsensus të përbërjes së komisionit dhe caktimin e datës së mbledhjes së parë, duke kujtuar se ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese e 1/4 së deputetëve propozues.

“Nëse keni një pretendim për objektin, sillni një formulim alternativ, por nga sa pashë, nuk keni asnjë shqetësim për objektin. Për sa kohë nuk ka shqetësim, ne duhet të miratojmë me konsensus përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës kur do të mblidhet. Kaq mund të bëjmë ne. Na e ka thënë Gjykata Kushtetuese” – shtoi ai.

Duke akuzuar mazhorancën për pengim sistematik të mekanizmave të kontrollit parlamentar, Bardhi paralajmëroi se mosmiratimi i kërkesës përbën shkelje të Kushtetutës dhe dhunë institucionale ndaj opozitës.

“Ka mbetur vetëm një muaj nga mbyllja e sesionit, dhe ju nuk keni pranuar asnjë mekanizëm kontrolli të opozitës, duke zhdukur parlamentarizmin. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe ‘dhunë’ ndaj opozitës” – përfundoi Bardhi.