
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si qeveria ka paraqitur projektbuxhetin për vitin 2026, duke e cilësuar si një dokument të rremë dhe propagandistik, për shkak të mungesës së paketës fiskale që duhet ta shoqërojë.
Nëpërmjet një postimi, Topalli ironizoi qasjen e mazhorancës:
“Qeveria ka shpikur buxhetin pa taksa — një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave. Qeveria po paraqet buxhetin pa sjellë më parë paketën fiskale — dhe kjo është shkelje e qartë e nenit 78 të Rregullores së Kuvendit dhe e Kapitullit të Financave Publike të Kushtetutës. Kushtetuta thotë qartë: nuk mund të ketë shpenzim pa burim të ligjshëm të ardhurash.”
Ajo paralajmëroi se lejimi i këtij precedenti do të dëmtonte rëndë funksionin e Kuvendit si organ kontrolli dhe do ta kthente në një noter të qeverisë.
“Pa paketë fiskale, buxheti është dokument i rremë — është propagandë, jo politikë financiare. Na tregojnë sa do të shpenzojnë, por e fshehin kush do t’i paguajë. Në këtë vend, buxheti vjen si dhuratë, pa faturë!”
Topalli theksoi se për më shumë se dy dekada, buxheti dhe paketa fiskale kanë qenë të pandara në procesin parlamentar, dhe çdo devijim nga ky standard përbën një rrezik për rendin kushtetues dhe transparencën financiare.
“Nëse lejojmë këtë precedent, nesër buxheti do të bëhet pa ligj, dhe Kuvendi do të mbetet vetëm noter i qeverisë. Po ta bënte këtë një student i vitit të parë të ekonomisë, do të ngelte provimin; po ta bëjë qeveria, e quan reformë” – tha Topalli.