
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka paraqitur buxhetin e tij të parë federal, i cili synon një transformim të thellë të ekonomisë kanadeze dhe përballimin e sfidave të krijuara nga tarifat e vendosura nga SHBA, përcjell BBC.
I cilësuar nga qeveria si një “buxhet investimesh”, plani fiskal parashikon një rritje të deficitit në 78 miliardë dollarë kanadezë, nga 51.7 miliardë që ishte më parë. Sipas qeverisë, ky zgjerim është i domosdoshëm për të ruajtur programet sociale dhe për të garantuar investimet e nevojshme për të ardhmen ekonomike të vendit.
Në prezantimin e buxhetit në Parlament, ministri i Financave, François-Philippe Champagne, tha se Kanadaja ndodhet në “një kohë ndryshimesh të thella” dhe se “duhen veprime të guximshme dhe të shpejta” për të siguruar mirëqenien afatgjatë.
Buxheti parashikon investime prej 280 miliardë dollarësh kanadezë gjatë pesë viteve të ardhshme për të forcuar produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e vendit. Një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të përdoret për modernizimin e porteve dhe infrastrukturës tregtare, me qëllim dyfishimin e eksporteve drejt tregjeve jashtë SHBA-së brenda dekadës së ardhshme.
Në të njëjtën kohë, qeveria synon të kompensojë humbjet e shkaktuara nga tarifat 35% të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, të cilat kanë prekur sektorë kyç si çeliku, alumini dhe industria e makinave.
Një ndër pikat më të rëndësishme të buxhetit është edhe rritja e ndjeshme e shpenzimeve për mbrojtjen, me 30 miliardë dollarë kanadezë në pesë vjet, për të përmbushur detyrimin ndaj NATO-s për 2% të PBB-së.
Qeveria Carney po vendos gjithashtu theks të madh tek inteligjenca artificiale, duke propozuar 1 miliard dollarë kanadezë për integrimin e saj në sektorët publikë dhe privatë.
Megjithatë, buxheti përfshin edhe masa të ashpra: shkurtim me 10% të administratës publike, që do të sjellë 40,000 humbje vendesh pune deri në vitin 2029, si dhe ulje të ndihmës ndërkombëtare në nivelet para pandemisë.
Objektivat e emigracionit do të ulen lehtë gjatë tre viteve të ardhshme, përfshirë reduktimin e vizave për studentët ndërkombëtarë, për të “stabilizuar” hyrjet në vend.
Buxheti pritet të votohet në parlament, ku qeveria liberale e Carney-t ndodhet tre vende nën shumicën, dhe për këtë arsye do të ketë nevojë për mbështetjen e partive të tjera. Moskalimi i tij mund të çojë në zgjedhje të parakohshme federale.
Opozita konservatore ka kërkuar një buxhet më të përballueshëm, ndërsa Partia Demokratike e Re ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë një “buxhet shtrëngues”.
Megjithë rritjen e deficitit, qeveria thekson se Kanada mbetet ndër vendet me borxhin më të ulët në raport me PBB-në në grupin e G7, pas Japonisë.