
Një grup deputetësh të Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për një interpelancë urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendimit të SPAK për ta marrë atë si të pandehur në lidhje me tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, më datë 31 Tetor 2025, Balluku u akuzua për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, bazuar në nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet e SPAK, në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025 (bashkuar me dosjet nr. 167 dhe 181/2024), zbuluan se në procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit në seksionin Orikum–Himarë, pjesë e autostradës SH8, janë kryer shkelje ligjore me qëllim favorizimin e operatorit fitues.
Fillimisht, fitues ishte shpallur kompania “Gjoka Konstruksion” me ofertë prej 140 milionë euro, por pas anulimit të procedurës, fitues u shpall bashkimi “INTEKAR – ASL” me ofertë 190 milionë euro. Megjithatë, punimet u kryen sërish nga “Gjoka Konstruksion” si nënkontraktor, duke sjellë një dëm prej 50 milionë euro për buxhetin e shtetit.
Në dokumentin zyrtar të depozituar në Kuvend, deputetët e PD kërkojnë që Balluku të japë llogari për procedurat e tenderit dhe për shkeljet e konstatuara nga SPAK.
“Kërkojmë thirrjen e një interpelance urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku,” thuhet në kërkesën e opozitës, duke u mbështetur në nenin 80 të Kushtetutës dhe nenin 97 të Rregullores së Kuvendit.
Opozita ka paralajmëruar se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme të çështjes dhe kërkon transparencë të plotë për një nga tenderët më të diskutuar të viteve të fundit.