Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Gjermania rumunja që mashtroi me email kompani shqiptare, përfitoi 33 mijë euro



Një 37-vjeçare rumune është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim kompjuterik ndaj një shoqërie tregtare shqiptare.

Sipas Policisë së Shtetit, Aurelia Bratianu, e dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2022 me 5 vjet burg, kishte përfituar rreth 33 500 euro gjatë muajve mars–prill 2019, përmes një skeme mashtrimi me email.

Hetimet zbuluan se ajo kishte dërguar emaile fiktive me adresa shumë të ngjashme me ato të bashkëpunëtorëve të kompanisë shqiptare jashtë vendit, duke i bërë përfaqësuesit e saj të kryenin pagesa në llogari të kontrolluara prej saj.

Zbardhja e kësaj skeme u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa procedura e ekstradimit u finalizua me sukses në koordinim me autoritetet gjermane.