Vendosni fjalën kyçe....

Rritet në 36 numri i viktimave nga përmbytjet në Vietnam


Bilanci i të vdekurve nga përmbytjet në Vietnamin qendror është rritur në 36, me të paktën katër të tjerë ende të zhdukur, raportoi Hanoi Times të shtunën.

Shirat rrëbesh të shkaktuara nga një front i ftohtë dhe një zonë tropikale konvergjente e kanë lagur Vietnamin qendror që nga 23 Tetori.

Autoritetet lokale dhe ushtria u dërguan për të kryer operacione shpëtimi, por shiu i dendur ka penguar përpjekjet e tyre.

Mbi 120,000 shtëpi ose janë përmbytur ose shkatërruar, gati 5,000 hektarë të mbjellash u humbën, 790 hektarë pemë frutore u dëmtuan, dhe më shumë se 17,700 krerë bagëti ngordhën, ndërsa përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut bllokuan 11 autostrada kombëtare.

Qyteti Hue regjistroi reshjet më të mëdha, duke lënë mbi 44,000 shtëpi nën ujë dhe duke shkaktuar humbje të konsiderueshme në bujqësi. Qyteti tani është në rimëkëmbje dhe ka hapur dyert për turistët në qytetin e lashtë.

Në provincën Quang Ngai, mbi 200 rrëshqitje dheu depozituan rreth 60,000 metra kub dheu dhe shkëmbinjsh në rrugë, duke ndërprerë shërbimet e trenave të pasagjerëve, ndërsa qindra banorë mbeten pa energji elektrike, shkruan Anadolu Agency.

Qendra Kombëtare për Parashikimin Hidro-Meteorologjik ka paralajmëruar se shiu i dendur do të vazhdojë nga 1 Nëntori deri më 4 Nëntor për shkak të ajrit të ftohtë dhe shqetësimeve të erës lindore, me reshje totale që variojnë nga 200 milimetra deri në 300 milimetra, ndërsa disa zona do të marrin më shumë se 600 milimetra.

Vietnami shtrihet në një nga zonat më aktive të ciklonit tropikal në botë dhe është i ndjeshëm ndaj shirave të dendur nga Qershori deri në Shtator.