
Një zjarr i madh që shpërtheu në një dyqan “Waldo’s” — zinxhiri më i madh i dyqaneve me çmime të ulëta në Meksikë — ka shkaktuar të paktën 23 viktima dhe 11 të plagosur, njoftuan autoritetet lokale. Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite në qendër të qytetit Hermosillo, në veriperëndim të vendit, përcjell BBC.
Disa autoritete lokale e kanë përshkruar ngjarjen si shpërthim, megjithëse guvernatori i shtetit Sonora, Alfonso Durazo, tha se shkaku ende nuk është përcaktuar. Ai theksoi se, sipas hetimeve paraprake, është përjashtuar mundësia e një sulmi të qëllimshëm apo akti dhune kundër civilëve.
Zyrtarët thanë se në mesin e viktimave ka edhe fëmijë, përfshirë një vajzë 15-vjeçare që ndodhet në spital.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë tym të dendur e të zi që dilte nga ndërtesa, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe makinat e parkuara përpara dyqanit. Pas shuarjes së zjarrit, gjurmët e djegies janë të dukshme në hyrje e dritare, njëra prej të cilave është shkatërruar plotësisht, ndërsa një makinë përballë saj është djegur e tëra.
“Familjeve që humbën të dashurit e tyre, u shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim të plotë,” – deklaroi Durazo në një mesazh video.
Ai shtoi se është hapur një hetim i jashtëzakonshëm dhe transparent për të sqaruar shkaqet dhe përgjegjësit e tragjedisë.
Prokurori i Shtetit të Sonoras, Gustavo Salas Chávez, tha për mediat se shumica e viktimave kanë humbur jetën nga thithja e gazeve toksike, duke shtuar se nuk ka ende prova që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm, por hetimet për shkakun vazhdojnë.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu ngushëllimet përmes rrjeteve sociale:
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e atyre që humbën jetën.”
Dyqanet “Waldo’s” janë të përhapura në të gjithë Meksikën, me qindra filiale në mbarë vendin. Tragjedia ndodhi në një fundjavë kur vendi feston “Ditën e të Vdekurve”, një traditë për nder të të afërmve të ndjerë.
Si shenjë respekti për viktimat, qeveria e shtetit Sonora njoftoi anulimin e të gjitha aktiviteteve kulturore të planifikuara për të dielën.