
Ushtria amerikane ka ndërmarrë një tjetër sulm në Karaibe ndaj asaj që e cilëson si një “anije narco-terroriste”, njoftoi Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, të shtunën. Ai theksoi se goditja u krye me urdhër të Presidentit Donald Trump, si pjesë e një fushate të zgjeruar kundër militantëve të lidhur me trafikun e drogës, përcjell Fox News.
Sipas Hegseth, në sulm u vranë tre persona të dyshuar si trafikantë droge.
“Departamenti i Luftës kreu një goditje vdekjeprurëse ndaj një anijeje tjetër të trafikut të drogës, të operuar nga një organizatë e shpallur terroriste,” – shkroi ai në platformën X.
Sipas tij, anija lundronte në një nga rrugët e njohura të trafikimit të drogës dhe ishte ngarkuar me lëndë narkotike.
“Këta narco-terroristë po përpiqen të sjellin drogë në brigjet tona për të helmuar amerikanët — por ata nuk do të kenë sukses. Ne do t’i ndjekim, do t’i gjurmojmë dhe do t’i eliminojmë, ashtu siç bëmë me Al Kaedën,” – shtoi Hegseth.
Ky është operacioni i 15-të i njohur i SHBA-së kundër grupeve të dyshuara të narco-terrorit në Karaibe dhe Paqësorin Lindor që nga shtatori, si pjesë e një “ofensive detare” që synon shkatërrimin e karteleve ndërkombëtare të drogës.
Zyrtarët e mbrojtjes konfirmojnë se në këto operacione janë vrarë të paktën 64 persona.
Presidenti Donald Trump ka mbrojtur këto sulme si një masë të ashpër për ndalimin e rrjedhës së drogës drejt SHBA-së, duke argumentuar se kartelet janë shndërruar në organizata terroriste transnacionale, ndaj SHBA-ja ka të drejtë t’i trajtojë si pjesë e një “konflikti të armatosur”, në bazë të autoritetit të pas 11 shtatorit 2001.
Ndërkohë, ligjvënësit demokratë në Senat kanë kërkuar më shumë transparencë mbi bazën ligjore të këtyre operacioneve dhe mbi grupet që po shënjestrohen.
Në një letër zyrtare drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbarddhe vetë Hegseth, senatorët kërkojnë publikimin e opinionit ligjor që mbështet goditjet dhe listën e organizatave të shpallura si objektiva nga presidenti.
Letra, e nënshkruar nga Chuck Schumer, Jack Reed dhe Jeanne Shaheen, akuzon administratën se ka shpërndarë informacione të pjesshme dhe kontradiktore vetëm për disa ligjvënës.
Ndërkohë, Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura ka publikuar dy letra të mëparshme drejtuar Hegseth, ku kërkohet sqarimi i kornizës ligjore mbi të cilën po zhvillohen këto operacione dhe identifikimi i karteleve të shpallura organizata terroriste.