
Kërkesa në Amerikë për droga të paligjshme si fentanil dhe kokainë ushqen sisteme të sofistikuara për kontrabandën e tyre.
Trafikantët përdorin gjithçka, nga skafet e shpejta, tek “narko-nëndetëset” e fshehta, e deri te anijet e mallrave për të çuar drogën te përdoruesit pa humbur ngarkesat nga sekuestrimet apo korrierët nga arrestimi.
Me dekada përvojë, sipas zyrtarëve amerikanë kundër narkotikëve, trafikantët janë zakonisht një hap para Amerikës dhe aleatëve të saj në ujërat e Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Rrjedha e fentanilit
E quajtur droga më e rrezikshme e paligjshme e konsumuar nga amerikanët, fentanili zakonisht kontrabandohet përmes pikave të hyrjes nga shtetas amerikanë të punësuar si “mushka”, duke lëvizur sasi të vogla të opioidit sintetik për grupet kriminale si karteli Sinaloa, sipas zyrtarëve amerikanë dhe meksikanë.
Nogales, Arizona, është një nga korridoret më të ngarkuara të fentanilit në SHBA, me drogën që transportohet me makina pasagjerësh, kamionë dhe metoda të tjera.

Kartelet blejnë pararendësit e fentanilit nga Kina dhe vendet e Azisë Juglindore. Kimikatet transportohen me anije drejt porteve detare meksikane në Paqësor, kryesisht terminaleve të kontejnerëve dhe mallrave në Manzanillo dhe Lázaro Cárdenas, dhe më pas transportohen me kamionë në veri. Destinacioni kryesor është shteti Sinaloa, ku prodhohet opioidi në laboratorë rudimentarë dhe shtypet në pilula për t’u dërguar në kufirin e SHBA-së.
Rreth 80% e të gjitha sekuestrimeve të fentanilit kanë ndodhur në kufirin jugperëndimor të SHBA-së, sipas një raporti të zyrës të autoriteve amerikane të botuar në shtator. Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së sekuestruan afro 5400 kilogramë të opioidit në kufirin tokësor jugperëndimor gjatë vitit fiskal që përfundoi më 30 shtator.

Rruga e kokainës
Kokaina e konsumuar në SHBA prodhohet kryesisht në Kolumbi, ku disa grupe të fuqishme të armatosura luftojnë me njëri-tjetrin për të kontrolluar tregtinë fitimprurëse në disa rajone. Ajo fillon me gjethet e kokës, e cila bluhet në pastë dhe përzihet me kimikate. Më pas, droga paketohet fort dhe transportohet në veri përmes një rrjeti rrugësh dhe disa mjeteve të ndryshme transporti, me trafikantët që reagojnë shpejt ndaj përpjekjeve ndaluese nga SHBA-ja dhe vendet aleate.
Ndërsa sekuestrimet e fentanilit kanë rënë për disa vjet, kapjet e kokainës janë në rritje. Ka më shumë kokainë, më shumë laboratorë droge dhe, rrjedhimisht, më shumë sulme kundër këtyre objektivave.
Të korrat e bollshme të gjetheve të kokës të rritura në xhunglat e ultësirave dhe në shpatet e Andeve të Kolumbisë, Perusë dhe Bolivisë e kanë përmbytur botën me furnizime rekord të kokainës që është më potenciale se në të kaluarën. OKB-ja vlerësoi vjeshtën e kaluar se prodhimi vjetor i kokainës në Kolumbi ishte 3,000 ton, rreth tetë herë më shumë se sa ishte në 2012, kur shkatërrimi i të korrave dhe përpjekjet ndaluese ishin në kulmin e tyre.

Anijet gjysmënëndetëse që transportojnë kokainë nga Ekuadori dhe Kolumbia tani dihet se kanë arritur deri në Australi. Dhe të njëjtat lloje të narkonëndetëseve kanë marrë kokainë në lindje nga Amerika e Jugut dhe madje lumi Amazon në Brazil drejt Portugalisë dhe Spanjës.
Me çfarë transpohet droga në SHBA
Që nga fillimi i shtatorit, administrata Trump ka goditur skafet e shpejta dhe një anije gjysmënëndetëse, duke nisur sulme ajrore të kapura në video, që SHBA-ja i ka bërë publike. Deri tani, 15 anije janë shkatërruar, sipas zyrtarëve amerikanë, me 61 anëtarë ekuipazhi të vrarë.
Skafet: Këto kanë qenë veçanërisht efektive në lëvizjen e kokainës, duke përdorur tre ose katër motorë të fuqishëm që u lejojnë atyre të udhëtojnë deri në 110 kilometra/orë duke transportuar 2 ose 3 ton kokainë. Kjo vlen deri në 65 milionë dollarë në rrugët e Miamit, SHBA.
Narkonëndetëset: Këto anije në të vërtetë nuk mund të zhyten, por vetëm rrëshqasin nën vijën e ujit. Ngarkesa e kokainës mund të kalojë lehtësisht 5 ton. Edhe pse shpesh përdoren për largësi shumë të gjata (mund të udhëtojnë nga Amerika e Jugut në Australi ose në Evropë), anijet kontrabandojnë kokainë edhe në vendet e Amerikës Qendrore dhe Meksikë.
Metoda të tjera: Autoritetet detare të Kolumbisë raportojnë metoda të tjera që përfshijnë anijet me kontejnerë, në të cilat kokaina është gjithnjë e më e vështirë për t’u zbuluar deri te varkat e peshkimit. Metoda të tjera të zakonshme të kontrabandës së drogave përfshijnë avionët e vegjël përmes Amerikës Qendrore në Meksikë. Drogat lëvizen gjithashtu në SHBA të fshehura në valixhe, në kamionë mallrash që transportojnë mallra të tjera dhe përmes tuneleve kufitare.

Lufta e re kundër drogës
Në organizimin më të madh ushtarak në rajon që nga vitet 1980, SHBA-ja ka dislokuar disa nga armatimet e saj më të fuqishme në Karaibe nën qëllimin e shpallur të goditjes së luftës kundër drogës.
Fuqia e zjarrit përfshin B-52H Stratofortress, një bombardues që është shoqëruar nga një avion luftarak kryesor, F-35. Një anije sulmi amfibe që transporton mijëra marinsa ka mbërritur në rajon, dhe së shpejti USS Gerald R. Ford, një aeroplanmbajtëse moderne, do jetë në Karaibe.
Ka edhe disa anije mbështetëse dhe drone në një dislokim që Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë lënë të kuptohet se mund të ketë një motiv tjetër, largimin nga pushteti të Nicolás Maduro-s, sundimtarit të fortë të Venezuelës.
Deri tani, pjesa më e madhe e forcës është përfshirë në ushtrime stërvitore dhe një shfaqje force, edhe pse sulme të sakta nga platforma të panjohura janë përdorur kundër anijeve të drogës. Administrata Trump thotë se po lufton një luftë kundër “narkoterroristëve.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ