Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Zgjedhjet e 11 majit, janë vlerësuar nga OSBE ODIHR si të administruara në mënyrë profesionale


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, vlerësoi në Kuvend punën e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht të SPAK-ut, dhe ftoi opozitën të votojë rezolutën për forcimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Balla theksoi se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe se rezultatet e arritura duhen vlerësuar. Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit janë cilësuar nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, ndërsa kërkoi që përmes Reformës Zgjedhore të përmirësohen më tej standardet.

“Sa i përket deklarimeve për çështjet që lidhen me institucionet e drejtësisë, duhet të jetë e qartë se sa i përket mazhorancës të këtij vendi, ne kurrë nuk do të bëjmë ndonjë deklaratë apo të hyjmë në ndonjë rast, në meritën e një çështjet ë drejtësisë. Me rezolutën që do të miratojmë nesër në Kuvend, vlerësojmë rezultatet e arritura nga SPAK si rezultate të mira dhe nxisim vazhdimin e punës. Mendoj që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër këtë rezolutë pikërisht për të tregua se drejtësia nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit, dhe është e keqe kur ngre akuza kundër kolegut tënd.

Jemi në kohën, që mes partisë dhe Shqipërisë, të zgjedhim Shqipërinë. Reforma në drejtësi është historike se hoqi duart e shumicës e parlamentit nga punët e drejtësisë. Zgjedhjet e 11 majit, janë vlerësuar nga OSBE ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale, të gjitha ankesat, duhet të jenë detyra e shtëpisë e Kuvendit përmes Komisionit për Zgjedhoren që t’i adresojë që zgjedhjet vendore të viti 2027 dhe ato parlamentare 2029, përfshirë dhe zgjedhjet për parlamentin evropian në Shqipëri, të jenë zgjedhje me standarde më të mira evropiane. Këta evropianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, nuk ka nevojë t’ia përkthejmë ne në shqip. E kam bërë dhe unë këtë gabim kur kam qenë në opozitë dhe ua kam lexuar gabim”, tha Balla.