
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen “Ndoc Mazi”, në zonën e njohur si “Arra e Madhe” në Shkodër.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:35, në momentin që 38-vjeçari Enea Buzukja, punonjës i Tatimeve, ka ndezur motorin e tij. Në atë çast, motori ka shpërthyer për shkak të një sasie tritoli të vendosur më parë.
Si pasojë e shpërthimit, Buzukja ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë në spital. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje. Nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët.