Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti nuk siguron votat për qeverinë e re, procesi kalon te presidentja Osmani



Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend për krijimin e qeverisë së re. Në seancën e sotme, kabineti “Kurti 3” mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, duke e bërë të pamundur miratimin e tij.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, procesi për formimin e qeverisë kalon tani tek presidentja Vjosa Osmani, e cila do të zhvillojë konsultime me partitë politike për të caktuar mandatarin e ri.

“Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese,” deklaroi për RTK-në këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Pas dështimit të votimit të kabinetit të propozuar, mbetet për t’u parë nëse raundi i ardhshëm i konsultimeve do të prodhojë një marrëveshje për krijimin e qeverisë, apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.