Vendosni fjalën kyçe....

Figura misterioze dhe “arkitekti” i një mashtrimi 14 miliardë dollarësh me kriptovaluta


Vetëm 37 vjeç, Chen Zhi akuzohet se është “truri pas një perandorie të gjerë mashtrimi kibernetik… një ndërmarrje kriminale e ndërtuar mbi vuajtjen njerëzore.”

Me mjekrën e hollë dhe fytyrën e butë që e bën të duket më i ri se është, ai është pasuruar shumë shpejt.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë e akuzoi atë për drejtimin e kampeve të mashtrimit në Kamboxhia, të cilat kanë vjedhur miliarda dollarë në kriptovaluta nga viktima në mbarë botën.

 Departamenti Amerikan i Thesarit konfiskoi rreth 14 miliardë dollarë në bitcoin që, sipas tij, janë të lidhura me Chen Zhi, një sekuestrim që u cilësua si më i madhi ndonjëherë në historinë e kriptomonedhave.

Ndërkohë, kompania e tij, Prince Group në Kamboxhia, e përshkruan në faqen zyrtare si “një sipërmarrës të respektuar dhe filantrop të njohur” me “vizion dhe lidership që e kanë kthyer Prince Group në një grup biznesi udhëheqës në Kamboxhia që respekton standardet ndërkombëtare.”

BBC ka kontaktuar Prince Group për koment.

Por kush është në të vërtetë Chen Zhi, figura misterioze që akuzohet se ka ngritur një perandori mashtrimesh?

 

Një ngritje e beftë

I rritur në provincën Fujian në Kinën juglindore, Chen Zhi filloi me një kompani të vogël lojërash online, jo shumë të suksesshme, dhe u zhvendos në Kamboxhia rreth viteve 2010–2011, ku nisi punën në sektorin në lulëzim të pasurive të paluajtshme.

Mbërritja e tij përkoi me fillimin e një boomi spekulativ të tregut të pronave në Kamboxhia, i nxitur nga toka të mëdha të sekuestruara nga figura të fuqishme politike dhe nga rrjedha e kapitalit kinez.

Një pjesë e këtij kapitali vinte si pjesë e nismës “Brezi dhe Rruga” të Xi Jinping për eksportin e infrastrukturës kineze, ndërsa pjesa tjetër nga investitorë individualë që kërkonin alternativa më të lira ndaj tregut të tejngopur të pasurive të paluajtshme në Kinë.

Në këtë periudhë, Phnom Penh, kryeqyteti kamboxhian, ndryshoi rrënjësisht. Qyteti dikur me ndërtesa të ulëta koloniale u mbush me kulla xhami dhe çeliku.

Por transformimi më i thellë ndodhi në Sihanoukville, një qytet bregdetar dikur i qetë që u kthye në një qendër për turistë, lojtarë dhe spekulatorë kinezë.

Meqë bixhozi është i ndaluar në Kinë, dhjetëra kazino u ndërtuan brenda pak vitesh, duke sjellë fitime të mëdha.

Megjithatë, rruga e Chen Zhi ishte e jashtëzakonshme.

Në 2014, ai mori shtetësinë kamboxhiane (duke hequr dorë nga ajo kineze), gjë që i mundësoi të blinte prona në emrin e tij, me kusht që të investonte ose dhuronte të paktën 250 mijë dollarë për qeverinë.

Nuk u bë kurrë e qartë se nga vinte kapitali i tij. Në një aplikim bankar në Ishullin e Manit në vitin 2019, ai deklaroi se kishte marrë 2 milionë dollarë nga një xhaxha për të nisur kompaninë e parë të pasurive të paluajtshme në vitin 2011, por nuk ofroi asnjë provë.

Në 2015, themeloi Prince Group, në fillim i fokusuar në ndërtim.

Në 2018, mori licencën për të hapur Prince Bank, dhe të njëjtin vit përfitoi një pasaportë qipriote kundrejt një investimi prej të paktën 2.5 milionë dollarësh, që i dha qasje të lehtë në Bashkimin Europian. Më vonë fitoi edhe shtetësinë e Vanuatu.

Ai themeloi gjithashtu një linjë ajrore, ndërtoi qendra tregtare luksoze në Phnom Penh, hotele me pesë yje në Sihanoukville, dhe nisi një projekt gjigant për një “eko-qytet” prej 16 miliardë dollarësh, të quajtur “Bay of Lights”.

Në 2020, Chen Zhi mori titullin më të lartë që jepet nga mbreti kamboxhian, “Neak Oknha”, që kërkon një donacion minimal prej 500 mijë dollarësh për shtetin.

Ai ishte gjithashtu këshilltar zyrtar i Ministrit të Brendshëm Sar Kheng që nga 2017-a, bashkëpunëtor biznesi me djalin e tij Sar Sokha, dhe këshilltar i kryeministrit Hun Sen, si dhe i djalit të tij Hun Manet, pas marrjes së pushtetit në vitin 2023.

Në media, ai lavdërohej si filantrop, duke financuar bursa studimi për studentë me të ardhura të ulëta dhe duke dhuruar fonde gjatë pandemisë së Covid-19.

Por pavarësisht famës, Chen Zhi mbeti një figurë enigmatike, që shmangte publikun.

Gazetari Jack Adamovic Davies, i cili kaloi tre vite duke hetuar aktivitetet e tij për Radio Free Asia, e përshkruan kështu:
“Të gjithë ata që kanë punuar me të e përshkruajnë si shumë të sjellshëm, të qetë dhe të matur… Një njeri me karizëm të heshtur.”

 

 “Një listë krimesh transnacionale”

Në 2019, flluska e pasurive në Sihanoukville shpërtheu.

Biznesi i bixhozit online tërhiqte grupe kriminale kineze, të cilat u përfshinë në lufta të dhunshme për territore.

Nën presionin e Pekinit, Hun Sen e ndaloi bixhozin online, duke detyruar rreth 450 mijë kinezë të largoheshin nga qyteti.

Megjithatë, Chen Zhi vazhdoi të zgjerohej.

Autoritetet britanike deklarojnë se ai bleu një rezidencë 12 milionë £ në Londrën veriore dhe një ndërtesë zyrash 95 milionë £ në qendrën financiare të qytetit.

Sipas SHBA-së, ai dhe bashkëpunëtorët e tij blenë pasuri në Nju Jork, avionë privatë, jaht luksoz dhe një pikturë të Picassos.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e akuzojnë se ka ndërtuar një perandori mashtrimi dhe trafikimi njerëzor, të mbështetur në larje parash dhe shfrytëzim të punëtorëve skllevër.

Në total, janë sanksionuar 128 kompani dhe 17 individë nga 7 shtete, të lidhur me Chen Zhi dhe Prince Group.

Dokumentet e gjykatës përfshijnë foto të “fermerive të telefonave” – dhoma të mbushura me qindra celularë të lidhur në rrjet, që përdoren për mashtrime masive online.

Në deklaratën e sanksioneve thuhet:

“Organizata Transnacionale Kriminale Prince Group përfiton nga një listë krimesh, përfshirë shantazhin seksual ndaj të miturve, larjen e parave, korrupsionin, bixhozin e paligjshëm dhe trafikimin industrial të punëtorëve të skllavëruar, të torturuar dhe të zhvatshëm në të paktën 10 komplekse mashtrimi në Kamboxhia.”

 

Perandoria e mashtrimit”

Sipas hetimeve të SHBA-së dhe Britanisë, në qendër të këtij rrjeti qëndronte kompleksi “Golden Fortune Science and Technology Park”, ndërtuar nga Prince Group pranë kufirit me Vietnamin.

Banorët lokalë përshkruan rrahje brutale ndaj punëtorëve (kryesisht nga Kina, Vietnami dhe Malajzia) që përpiqeshin të arratiseshin nga kompleksi, ku ata detyroheshin të punonin në mashtrime online.

Davies thekson:

“Shkalla e madhe e operacioneve të tij e bën Chen Zhi-n të veçantë. Ajo që është më tronditëse është se si Prince Group arriti të ndërtojë një prani globale pa ngritur alarmin, përkundër akuzave të rënda kriminale.”

 

Pasojat dhe heshtja

Pas publikimit të sanksioneve, bizneset po distancohen me shpejtësi nga Prince Group.

Banka Qendrore e Kamboxhias siguroi qytetarët se do të mund të tërheqin depozitat nga Prince Bank.

Autoritetet koreane kanë ngrirë 64 milionë dollarë depozita të kompanisë në bankat e tyre.

Ndërkohë, Singapori dhe Tajlanda kanë nisur hetime ndaj degëve të grupit.

Qeveria kamboxhiane është shprehur vetëm se “SHBA-ja dhe Britania duhet të sigurojnë prova të mjaftueshme për akuzat e tyre.”
Por lidhjet e ngushta të elitës politike me Chen Zhi-n e bëjnë të vështirë distancimin prej tij.

Sot, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e Chen Zhi.

Njeriu që dikur konsiderohej ndër më të fuqishmit në Kamboxhia, duket se është zhdukur pa gjurmë.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC