Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti izraelit miraton projektligjin për zbatimin e sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor



Parlamenti izraelit (Knesset) ka miratuar të mërkurën avancimin e një projektligji që parashikon zbatimin e sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor, një hap që pritet të shkaktojë reagime të forta ndërkombëtare, përcjell JPost.

Projektligji, i titulluar “Zbatimi i Sovranitetit të Izraelit në Judea dhe Samaria, 2025”, është propozuar nga deputeti Avi Maoz (Noam) dhe u miratua me një diferencë të ngushtë votash, 25 pro dhe 24 kundër. Ligji parashikon që ligjet, sistemi gjyqësor, administrata dhe sovraniteti i shtetit të Izraelit të zbatohen në të gjitha zonat e vendbanimeve hebraike në këto territore.

Pas votimit, Maoz tha se miratimi i këtij projektligji “korrigjon një padrejtësi historike”. Ai shtoi se “meqë qeveria ka hezituar, është detyra jonë si anëtarë të Knesset-it të veprojmë”. Deputeti gjithashtu konfirmoi se kishte refuzuar kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të shtyrë diskutimin.

Ministri i Arsimit, Yoav Kisch, e quajti këtë qeveri “më të mirën që ka pasur ndonjëherë lëvizja e vendbanimeve” dhe shtoi se “koha për legjislacionin e plotë të sovranitetit do të vijë, dhe do ta udhëheqim atë së bashku me partnerët tanë amerikanë.”

Votimi përkoi me vizitën e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Izrael, i cili u takua me Netanyahu-n në mëngjesin e së mërkurës.

Ndërkohë, vende si Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paralajmëruar më herët se çdo aneksim i Bregut Perëndimor do të minojë frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit, që synojnë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Në të njëjtën seancë, Knesset miratoi edhe një projektligj tjetër për zbatimin e sovranitetit në zonën Ma’aleh Adumim, i propozuar nga ministri Avigdor Liberman, me 32 vota pro dhe 9 kundër.

Aktualisht, sipas ligjit izraelit, territoret e pushtuara nga Jordania në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 (përveç Jerusalemit Lindor) mbeten nën administrimin ushtarak të komandës qendrore të IDF-së, ndërsa shumica e vendbanimeve izraelite ndodhen në Zonën C, që është nën kontroll të plotë izraelit.

Sipas shumicës së organizatave ndërkombëtare, vendbanimet izraelite përbëjnë shkelje të nenit 49 të Konventës së Katërt të Gjenevës, i cili ndalon zhvendosjen e civilëve në territore të pushtuara. Izraeli, nga ana tjetër, argumenton se territoret nuk janë të pushtuara, pasi nuk kanë pasur një sovranitet të njohur ndërkombëtarisht përpara vitit 1967.

Në vitin 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë deklaroi në një opinion këshillimor se prania e Izraelit në Bregun Perëndimor nuk është më e përkohshme dhe, për pasojë, konsiderohet e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.