Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se legjislativi tashmë është i konstituar dhe se pritet votimi i qeverisë së re, pa dhënë detaje nëse mazhoranca ka siguruar votat e nevojshme.
Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese dhe mundësinë që kjo e fundit të pezullojë afatin për formimin e qeverisë, nëse vendos masë të përkohshme.
Lista Serbe dorëzoi ankesën më 16 tetor, duke pretenduar se me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit janë shkelur Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si përfaqësues i komunitetit serb në kryesinë e Kuvendit. Zgjedhja e tij erdhi pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e mjaftueshme, ndonëse u hodhën tri herë në votim.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zgjedhur të mos komentojë ankesën e Listës Serbe, duke theksuar se “të gjithë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”.
Haxhiu dhe Basha morën pjesë të hënën në marshin kundër kancerit të gjirit, nën moton “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, organizuar nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani.
I pyetur gjithashtu për mundësinë e një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së në balotazhin për Komunën e Vushtrrisë, Basha tha se për këtë çështje “flasin partitë politike, jo institucioni që përfaqëson”.
