
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, denoncoi lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar dhe politikës në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një “narkoshtet”.
Sipas Balliut, një nga rastet më shqetësuese që tregon kapjen e shtetit nga kartelet e drogës është organizata kriminale “Çopja”.
Grupi, sipas tij, përdorte sektorin imobiliar për pastrimin dhe qarkullimin e parave të drogës, duke maskuar aktivitetin kriminal përmes bizneseve dhe pronave.
Deputeti opozitar thekson se hetimet kanë zbuluar lidhje direkte të kësaj organizate me njerëz të pushtetit, përfshirë gjyqtarë dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët figurojnë në listëpagesat e grupit kriminal.
“Ky është përkufizimi i vërtetë i narkoshtetit,” shkruan Balliu, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim me organizata kriminale dhe shkatërrim të sistemit të drejtësisë.
Ai shton se rasti “Çopja” është vetëm një prej shumë shembujve që vërtetojnë akuzat e opozitës. E njëjta skemë kriminale shfaqet edhe tek grupet “Tropjanët”, “Bajrat” dhe organizata të tjera me lidhje ndërkombëtare, si Sinaloa dhe ’Ndrangheta.
“Ndërsa në SHBA kartelet shpallen organizata terroriste, në Shqipëri ato trajtohen si aleatë dhe partnerë të qeverisë,” përfundon deklaratën e tij Klevis Balliu.