Vendosni fjalën kyçe....

Protesta masive “No Kings” në SHBA kundër Donald Trump: “Ne nuk kemi mbretër”


Më 18 tetor, miliona qytetarë amerikanë dolën në rrugët e më shumë se 2,600 qyteteve në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në kuadër të protestave mbarëkombëtare me moton “No Kings” (“Pa Mbretër”), për të denoncuar atë që ata e konsiderojnë si prirje autoritare dhe korrupsion të pakontrolluar të Presidentit Donald Trump.

Protestat, të zhvilluara në atmosferë festive dhe paqësore, bashkuan njerëz të moshave dhe shtresave të ndryshme, nga familje me fëmijë e deri te veteranë të ushtrisë , të cilët mbanin pankarta e simbole që mbronin demokracinë amerikane.

Leah Greenberg, bashkëthemeluese e organizatës progresiste Indivisible, tha: “Nuk ka asgjë më amerikane sesa të thuash ‘ne nuk kemi mbretër’ dhe të ushtroni të drejtën tuaj për të protestuar në mënyrë paqësore.”

Në Nju Jork, më shumë se 100 mijë persona mbushën sheshin Times Square, ku sipas policisë nuk pati asnjë arrestim të lidhur me protestat.

Të njëjtat pamje u përsëritën edhe në qytete të tjera të mëdha si Boston, Filadelfia, Atlanta, Denver, Çikago dhe Seattle, ku turma që numëronin mijëra vetë marshuan nën slogane kundër autoritarizmit, përcjell Reuters.

Në Bregun Perëndimor, protestat ishin po aq të fuqishme.

Në qendër të Los Anxhelosit u mblodhën dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa në Seattle rruga e marshimit u shtri për më shumë se një milje. Policia e San Diegos raportoi rreth 25 mijë protestues që u grumbulluan paqësisht në qendër të qytetit.

Protestuesit shprehën zhgënjimin e tyre ndaj politikave të ashpra të Trump, përfshirë ndalimin e emigracionit dhe dërgimin e Gardës Kombëtare në qytete amerikane.

“Ne duam të tregojmë se jemi në krah të demokracisë dhe të drejtësisë. Unë jam kundër çdo abuzimi me pushtetin,” tha Aliston Elliot, e veshur si Statuja e Lirisë, e cila mbante një pankartë ku shkruhej: “No Wannabe Dictators” (“Jo diktatorëve që duan të bëhen të tillë”).

Në Hjuston, veterani i Marinës amerikane, Daniel Aboyte Gamez, 30 vjeç, tha: “Nuk e kuptoj më se çfarë po ndodh në këtë vend. Kam luftuar në Irak, Afganistan dhe Siri për lirinë, por tani duket se ajo po humbet këtu.”

Në Portland të Oregonit, veterani 70-vjeçar Kevin Brice mbante një bluzë me mbishkrimin “No Kings since 1776” (“Pa mbretër që nga 1776”), duke iu referuar vitit të shpalljes së pavarësisë amerikane.

“Kam qenë republikan gjatë gjithë jetës sime, por gjithçka që kam mbrojtur në ushtri është vënë në rrezik. Nuk e mbështes më drejtimin që ka marrë partia ime,” tha ai.

Edhe në Denver, Kelly Kinsella, e veshur si Lady Liberty me lot gjaku të vizatuar në fytyrë, u shpreh: “Gjithkush ndien stres nga realiteti i sotëm. Çmimet rriten, pasiguria shtohet dhe kjo është pasojë e politikave tarifore të Trump.”

Presidenti Trump reagoi shkurt, duke thënë në një intervistë për Fox Business: “Ata më quajnë mbret — unë nuk jam mbret.”

Megjithatë, reagimet politike ishin të ndara. Liderë demokratë si Chuck Schumer dhe Alexandria Ocasio-Cortez shprehën mbështetje për lëvizjen “No Kings”, ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, e cilësoi protestën si “një miting kundër Amerikës.”

Profesorja Dana Fisher nga Universiteti Amerikan në Uashington, e cila studion lëvizjet e protestës, tha se kjo mund të jetë një nga demonstratat më të mëdha në historinë moderne të SHBA-së.

Sipas saj, bazuar në regjistrimet dhe pjesëmarrjen në protestat e ngjashme të qershorit, “më shumë se 3 milionë njerëz mund të kenë marrë pjesë sot.”

Në fund të ditës, mesazhi i protestuesve ishte i qartë: demokracia amerikane nuk njeh mbretër dhe asnjë udhëheqës nuk është mbi ligjin.