
Zyrtarët pakistanezë do të zhvillojnë më 18 tetor bisedime në Katar me homologët afganë, një ditë pasi ushtria pakistaneze kreu sulme ajrore në territorin afgan, duke vrarë të paktën dhjetë persona dhe duke shkelur armëpushimin që kishte sjellë qetësi të përkohshme në kufi, përcjell REL.
“Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe shefi i inteligjencës gjenerali Asim Malik, do të nisen për në Doha sot për bisedime me talibanët afganë,” raportoi televizioni shtetëror i Pakistanit.
Nga ana tjetër, një zyrtar i qeverisë talibane konfirmoi zhvillimin e takimit.
“Një delegacion i nivelit të lartë nga Emirati Islamik, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Mohammed Yaqub, është nisur për në Doha,” shkroi në platformën X zëdhënësi taliban, Zabihullah Mujahid.
Bisedimet zhvillohen në një klimë të tensionuar, pas përplasjeve të përgjakshme në kufi që javën e kaluar shkaktuan dhjetëra viktima nga të dyja palët. Një armëpushim 48-orësh kishte ndalur përkohësisht luftime, por ai u thye të premten në mbrëmje, kur Kabuli akuzoi Islamabadin për bombardime në tri lokacione në provincën Paktika.
“Pakistani e ka shkelur armëpushimin dhe ka bombarduar tri lokacione në provincën Paktika. Afganistani do të kundërpërgjigjet,” deklaroi për AFP-në një zyrtar taliban.
Sipas burimeve shëndetësore, dhjetë civilë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet, mes tyre edhe dy fëmijë.
Nga ana e tij, një zyrtar pakistanez tha se sulmet ishin “precize” dhe kishin si objektiv grupin Hafiz Gul Bahadur, një fraksion lokal i lidhur me Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), të cilin Islamabadi e akuzon për një sërë sulmesh të fundit ndaj forcave të sigurisë.
Pakistani thotë se ky grup është përgjegjës për sulmin e javës së kaluar në një kamp ushtarak në Vaziristanin Verior, ku mbetën të vrarë shtatë trupa paramilitare.
Çështjet e sigurisë mbeten në qendër të tensioneve dypalëshe, me Pakistanin që akuzon Afganistanin për strehimin e militantëve të TTP-së në territorin e tij – një akuzë që Kabuli e mohon kategorikisht.
Dhuna ndërkufitare është përshkallëzuar ndjeshëm që nga fundjava e kaluar, vetëm disa ditë pas shpërthimeve që tronditën Kabulin, në të njëjtën kohë kur ministri i Jashtëm i talibanëve zhvilloi një vizitë të paprecedentë në Indi, rivalin tradicional të Pakistanit.
Kur armëpushimi u shpall të mërkurën, Islamabadi deklaroi se ai do të zgjaste 48 orë, ndërsa Kabuli tha se do të mbetej në fuqi për aq kohë sa Pakistani nuk e shkelte.
Zëdhënësi i qeverisë talibane, Mujahid, tha se forcat afgane janë urdhëruar të mos nisin sulme, “përveçse në rast se Pakistani sulmon i pari”.
“Nëse Pakistani sulmon, Afganistani ka të drejtë të mbrojë veten,” shtoi ai.