
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit “Për barazinë gjinore”, duke e cilësuar si një “mashtrim të radhës” të Partisë Socialiste dhe duke kërkuar rrëzimin e tij të plotë.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehu akuzon mazhorancën se, përmes 22 amendamenteve të fundit, po përpiqet të “maskojë thelbin e ligjit”, që sipas tij përbën një “atentat ndaj strukturës tradicionale të shoqërisë”.
“22 amendamentet e PS, të detyruara nga reagimi i fortë i opinionit publik, komuniteteve fetare dhe qytetarëve në tërësi, nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të fshehur thelbin e ligjit,” shkruan Shehu.
Sipas tij, projektligji rrezikon të legalizojë një model të ri shoqëror të bazuar mbi “shumëllojshmëri gjinore fluide”, duke shkelur parimet tradicionale të shoqërisë shqiptare që njohin vetëm dy gjini – mashkull dhe femër.
Deputeti thekson se ligji nuk e përmend qartë konceptin e dy gjinive të përcaktuara në lindje, duke hapur rrugë për njohjen e identiteteve gjinore alternative, si transgjinor, gjinor fluid apo jogjinor (non-binary).
“Ky projekt-ligj shemb kolonat e shoqërisë dhe rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë,” shton Shehu, duke paralajmëruar për futjen e koncepteve të komunitetit LGBT+ në sistemin arsimor.
Shehu e quan të pamjaftueshme ndërhyrjen e PS-së me amendamente dhe kërkon rrëzimin e plotë të nismës, të cilën e cilëson si “të pakorrigjueshme dhe të papranueshme për vlerat mbi të cilat qëndron familja dhe shoqëria”.
“Ky projekt tinzar duhet hedhur në kosh,” përfundon reagimin e tij deputeti demokrat.