Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja mund të ndalojë cigaret me filtër


BE-ja po shqyrton ndalimin e cigareve me filtër dhe të cigareve elektronike si pjesë e përpjekjes për të ulur pirjen e duhanit në bllok, ka raportuar tabloidi gjerman Bild.

Më herët këtë muaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Evropa kishte kaluar Azinë Juglindore si rajoni me numrin më të lartë të duhanpirësve në botë. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 173 milionë njerëz në kontinent përdorën duhan në vitin 2024.

BE-ja planifikon të ndjekë rekomandimet e OBSH-së për “ndalimin e filtrave për të ulur shijen dhe joshjen e cigareve,” thuhet në shkrimin e së mërkurës, shkruan RT.

Një projektligj i Këshillit Evropian, i cili është shqyrtuar nga gazeta, sugjeron se ndalimi i prodhimit, importit dhe shpërndarjes së cigareve me filtër “do ndikojë ndjeshëm në uljen e pirjes së duhanit.”

Ky veprim do ulte gjithashtu ekspozimin e joduhanpirësve ndaj tymit dhe do ndihmonte në mbrojtjen e mjedisit, shtohet në dokument.

Ndalimi i cigareve elektronike, të njohura edhe si vape, është gjithashtu në agjendën e Brukselit si një “mundësi rregullatore shtesë,” sipas projektligjit.

Cigaret, si me filtër ashtu edhe pa filtër, mund të ndalohen nga shitja në dyqane, stacione karburanti dhe kioska në gjithë BE-në, thuhet në dokument.

Nëse legjislacioni miratohet, do të përbënte një ndalim de facto të cigareve në BE, duke pasur parasysh faktin se më shumë se 90% e tyre prodhohen me filtër, vëren gazeta.

Një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Shëndetësisë i tha Bild-it se pozicioni i unifikuar i shteteve anëtare të BE-së për këtë çështje është ende në “proces bashkërendimi.”