
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas përplasjes me kreun e opozitës, Sali Berisha, në seancën plenare të sotme, ku ky i fundit e akuzoi për shpifje.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bido sqaroi se është detyruar të largohet nga Kuvendi për shkak të një fatkeqësie familjare, duke theksuar se nuk ka pasur mundësi t’i përgjigjej Berishës.
“Doktori i bllofeve nuk dëgjon as të vetët. Për shkak të një fatkeqësie familjare, mu desh të largohem nga seanca e Parlamentit dhe nuk pata mundësi t’i bëja replikë Berishës, i cili nuk dëgjon më as kolegët e vet dhe i djeg nën kësulë, pa kuptuar as për kë flitet,” shkruan Bido.
Ai shtoi se gjatë fjalës së tij në Kuvend ishte ndalur te një prej përfaqësuesve të opozitës që, sipas tij, kishte bërë një deklaratë të papranueshme për liderët e UÇK-së.
“Në fjalën time u ndala te njëri nga përfaqësuesit e opozitës së tij, i cili dha një deklaratë të papranueshme për liderët e UÇK-së, një deklaratë që nuk e ka bërë as vetë Serbia. Por kryetari i opozitës nuk e kupton, ose bën sikur nuk e kupton se çfarë flasin deputetët e tij, sepse e ka mendjen vetëm te shpifjet. Është më se e qartë pse kjo opozitë nuk bind askënd!” përfundoi deputeti socialist.