Banorët e fshatit Popinarë kanë akuzuar qeverinë dhe bashkinë e Dibrës për gjendjen e vështirë ku ndodhet rruga e fshatit, gjë që i ka detyruar ta braktisin fshatin.
Janë 2.2 kilometra rrugë nga Popinara deri në Pocest, që është e paasfaltuar dhe në vjeshtë e dimër është tejet problematike për t’u kaluar. Të rinjtë janë larguar të gjithë nga fshati ndërsa edhe ata pak banorë që kanë ngelur po largohen dita-ditës, shkruan BW.
Ata kanë theksuar se fëmijët nuk I çojnë dot në shkollën e Pocestit për shkak të mungesës së rrugës.
Për të gjithë nevojat shëndetësore është vetëm një fuoristradë në fshat që mundohet t’u shërbejë banorëve, ndërsa për ushqimet shkojnëiI marrin në këmbë në Maqellarë. Banorët thonë se janë mashtruar në këto 35 vite dhe se askush nuk ka bërë asgjë për fshatin e tyre.
Ish-kryetari i fshatit Popinar Urim Hamzai, thotë se ka braktisur detyrën pasi kërkesat e tij ndaj Bashkisë Dibër për asfaltimin e rrugës kanë rënë në vesh të shurdhër.
Banorët e mbetur ende në këtë fshat kërkojnë ndërhyrje emergjente në rrugën e tyre, në të kundërt, thonë ata, do largohen si bashkëfshatarët e tjerë.
