Vendosni fjalën kyçe....

14 të arrestuar në Elbasan, u gjetën të armatosur dhe kundërshtuan policinë


Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Fast”, duke arrestuar 14 persona të përfshirë në veprimtari kriminale të armëmbajtjes pa leje. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë.

Gjatë ndërhyrjes në një lokal në fshatin Bradashesh, në pronësi të njërit prej të arrestuarve, policia gjeti 3 armë zjarri dhe municion luftarak. Në vijim të kontrolleve në banesat e tyre, u sekuestruan elektroshokë, radio policie, jelek me mbishkrimin “Policia”, thika, shkop metalik, para, automjete, celularë dhe pajisje DVR.

Të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “kundërshtim të punonjësit të policisë”, “mbajtje pa të drejtë të uniformës” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim. 

Njoftimi:

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë siguruar informacion për një rast të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të këtij informacioni, është organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Fast”.

Në kuadër të operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. T., 39 vjeç, H. M., 25 vjeç, A. K., 49 vjeç, M. S., 47 vjeç, B. M., 53 vjeç, J. M., 30 vjeç, A. D., 49 vjeç, E. D., 29 vjeç, banues në Tiranë;
-T. Z., 52 vjeç, S. M., 46 vjeç, E. C., 36 vjeç, E. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, B. H., banues në Itali dhe një 17-vjeçar (djali i shtetasit T. Z.).

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin e shtetasit T. Z., në fshatin Bradashesh, ku ndodheshin këta 14 shtetas. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën 3 armë zjarri dhe municion luftarak.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën elektroshot (dorezë neuroparalizuese), 4 radio si të Policisë, jelek me mbishkrimin “Policia”, send në formë pistolete, sinjalizues (send metalik në formë pistolete), thikë, shkop metalik, shuma parash, 4 automjete , 13 celularë dhe DVR.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të kryera në bashkëpunim.