
Në Komisionin e Medias dhe të Drejtave të Njeriut, ku u raportua sot mbi veprimtarinë e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, theksoi se raportimi i sotëm “nuk është një raportim normal” për një media publike që financohet nga taksapaguesit shqiptarë.
Tabaku kujtoi se bordi drejtues i RTSH është shkarkuar i gjithi me vendim të Kuvendit, duke theksuar se kjo nuk ka qenë një rastësi, por një masë e domosdoshme për të rikthyer llogaridhënien dhe transparencën në një institucion publik që duhet t’u shërbejë qytetarëve.
“Ky nuk është një raportim normal, pasi bordi i mëparshëm është shkarkuar i gjithi. Nuk ishte rastësi, por një vendim i vështirë, i domosdoshëm dhe që duhet përshëndetur. Sot ju raportoni për një vit që nuk është më përgjegjësi juaja, por është detyrim që ta bëni,” – deklaroi Tabaku.
Gjatë fjalës së saj, ajo ngriti shqetësimin se RTSH po përballet me një krizë besueshmërie dhe pavarësie, duke theksuar se televizioni publik duhet të jetë i qytetarëve dhe jo i pushtetit.
“Dje pashë një postim të Orkestrës së RTSH që lavdëronte kryeministrin. M’u duk qesharake që orkestra e Radio Televizionit të përshëndeste kryeministrin e vendit, sikur RTSH të ishte pronë e tij dhe jo e publikut shqiptar,” – u shpreh Tabaku, duke theksuar se RTSH duhet t’i rikthehet qytetarëve që e paguajnë çdo muaj përmes faturave të energjisë.
Në përfundim, kryetarja e Komisionit u shpreh se pret që RTSH të hyjë në një epokë të re transparence dhe profesionalizmi, ku lajmet, emisionet dhe aktivitetet të pasqyrojnë interesin publik dhe jo propagandën qeveritare.
“Shpresoj që sëmundjet e vjetra të mos jenë më në këmbë në këtë epokë të re. RTSH duhet të bëjë lajme për shërbimin që i jep qytetarëve, jo për veten e vet,” – përfundoi Tabaku.