
India dhe Kanadaja kanë rënë dakord për një sërë hapash gjatë bisedimeve të ministrave të tyre të Jashtëm në Delhi, me qëllim rivendosjen e marrëdhënieve që u prishën pas vrasjes së një lideri sikh separatist në tokën kanadeze.
Ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Indi, u takua me homologun indian S. Jaishankar dhe me kryeministrin Narendra Modi.
Modi e siguroi Anand se vizita do të forconte “përpjekjet për të dhënë një impuls të ri” partneritetit midis dy vendeve, përcjell BBC.
Marrëdhëniet arritën në pikën më të ulët në vitin 2023, kur kryeministri i atëhershëm kanadez, Justin Trudeau, akuzoi Indinë për lidhje me vrasjen e Hardeep Singh Nijjar, akuza të cilat Delhi i mohoi.
Të dy vendet pezulluan shërbimet e vizave dhe dëbuan diplomatët më të lartë të njëri-tjetrit.
Kanadaja është vendbanim për rreth 1.7 milionë persona me origjinë indiane, dhe zhvillimet diplomatike janë ndjekur me vëmendje të madhe në të dy vendet.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm në Delhi, të dy palët njoftuan masa konkrete, përfshirë nisjen e bisedimeve në nivel ministror mbi tregtinë dhe investimet dypalëshe.
“Rivendosja e këtij partneriteti jo vetëm që do të krijojë mundësi për një bashkëpunim më të gjerë ekonomik, por gjithashtu do të ndihmojë në zvogëlimin e vulnerabiliteteve që lindin nga aleancat globale në ndryshim,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Shenja për një përmirësim janë parë që këtë vit, që kur Mark Carney mori detyrën e kryeministrit kanadez. Në qershor, Carney dhe Modi mbajtën një takim dypalësh në margjinat e samitit G7 në Kanada. Dy muaj më vonë, vendet emëruan komisionerë të rinj të lartë për njëri-tjetrin. Anand dhe Jaishankar gjithashtu u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në shtator.
Jaishankar tha se marrëdhëniet India-Kanada kanë përparuar në mënyrë të qëndrueshme gjatë muajve të fundit: “Kur shohim Kanadanë, shohim një ekonomi plotësuese. Shohim një shoqëri të hapur, diversitet dhe pluralizëm. Kjo është baza për një kuadër bashkëpunimi të afatgjatë dhe të qëndrueshëm.”
Ministrja Anand shtoi se të dy vendet janë “përkushtuar kolektivisht për avancimin e kësaj marrëdhënieje tani dhe në të ardhmen, veçanërisht për prioritetet tona të përbashkëta në Indo-Paqësor.”
Të dy vendet do të rifillojnë Forumit CEO Kanada–Indi, i cili mbledh drejtues biznesesh nga të dy vendet për të rritur tregtinë dhe investimet dypalëshe.
Ky njoftim vjen ndërsa India po përballet me tarifën ndëshkuese prej 50% të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump mbi produktet indiane.
Anand do të takohet gjithashtu me ministrin indian të Tregtisë, Piyush Goyal, për të diskutuar mënyrat e rritjes së marrëdhënieve tregtare, para se të udhëtojë drejt Mumbait për t’u takuar me drejtues biznesesh mbi investimet dhe mundësitë ekonomike.
Më pas, ajo do të vizitojë Kinën dhe Singaporin si pjesë e strategjisë së Kanadasë në Indo-Paqësor, që synon thellimin e angazhimit të vendit në rajon.