
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillohen në Lubjanë të Sllovenisë. Si pjesë e delegacionit shqiptar, Mediu ndau detaje nga diskutimet që u fokusuan në çështje të sigurisë globale, luftën në Ukrainë dhe rolin e fuqive autoritariste në rendin ndërkombëtar.
Në një postim në rrjetet sociale, Mediu theksoi rëndësinë e një strategjie të përbashkët të vendeve anëtare dhe atyre aspirante të NATO-s në Ballkan, për t’u përballur me kërcënimet që vijnë nga Rusia, Kina dhe aleatët e tyre në rajon. Ai kërkoi ndërtimin e një “deterrence” të përbashkët politike dhe ushtarake, në përputhje me vendimet e Samitit të NATO-s në Hagë, duke vlerësuar se siguria rajonale kërkon bashkëpunim dhe rritje të investimeve në mbrojtje deri në 5% të buxhetit kombëtar.
“Vendet e NATO-s dhe ato aspirante në Ballkan duhet të ndërtojnë një bashkëpunim të fortë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Iniciativa e Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës duhet të zgjerohet me vendet e tjera të rajonit,” – tha Mediu, duke shtuar se ky qëndrim është mbështetur edhe nga ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë, Borut Sajovic.
Gjatë punimeve të Asamblesë, Mediu zhvilloi takime me delegacione nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë edhe atë të parlamentit të Ukrainës (RADA), me të cilët u angazhua në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund agresionit rus.
Në seancën plenare, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua Asamblesë përmes një lidhjeje online, ku foli për situatën e luftës dhe zhvillimet e fundit në raport me Shtetet e Bashkuara.
Mediu gjithashtu u takua me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko, me të cilin tha se ka bashkëpunuar më herët në Forumet e IDU dhe në Forumin e Sigurisë në Washington.
Në përfundim, Mediu vlerësoi edhe faktin që Asambleja Parlamentare e NATO-s do t’i akordojë çmimin e lartë “Women for Peace and Security” presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.