
Luftime të ashpra shpërthyen gjatë natës në të paktën pesë zona përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe duke detyruar Islamabadin të mbyllë dy nga pikat kryesore kufitare, njoftuan zyrtarë të të dy vendeve, përcjell REL.
Zëdhënësi i qeverisë së talibanëve në Kabul, Zabihullah Mujahid, deklaroi se 58 ushtarë pakistanezë janë vrarë, ndërsa 30 të tjerë janë plagosur. Sipas tij, nëntë ushtarë afganë kanë humbur jetën dhe 18 janë plagosur në përleshjet që nisën më 11 tetor.
Nga ana tjetër, zyrtarë pakistanezë konfirmuan për Radion Mashaal se tre ushtarë dhe një civil pakistanez janë vrarë, ndërsa pesë ushtarë janë plagosur.
Burime të sigurisë pakistaneze konfirmuan për gazetën Dawn se forcat pakistaneze kanë përdorur artileri të rëndë, tanke dhe armë automatike, duke shkatërruar disa postblloqe kufitare të talibanëve.
Nga ana e tyre, autoritetet afgane thanë se kanë ndërmarrë “operacione hakmarrëse të suksesshme” përgjatë vijës Durand, si përgjigje ndaj “shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore dhe territorit afgan”.
Zëdhënësi Mujahid deklaroi se luftimet janë ndalur në disa zona me ndërmjetësimin e Katarit dhe Arabisë Saudite, por shtoi se përleshjet vazhdojnë në provincën Helmand, për shkak të sulmeve të mëtejshme nga forcat pakistaneze.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe Presidenti Asif Ali Zardari dënuan dhunën dhe akuzuan talibanët afganë për përshkallëzimin e konfliktit. Sharif tha se “çdo provokim do të marrë përgjigje të fortë”.
Sipas burimeve pakistaneze, forcat e tyre kanë rrëzuar tre dronë afganë, të dyshuar për mbajtje eksplozivësh.
Në anën tjetër, talibanët mohojnë se po strehojnë Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP) – një grup ekstremist i përfshirë në sulme të dhunshme ndaj Pakistanit. Megjithatë, tensionet janë përkeqësuar pas vrasjes së dy anëtarëve të lartë të TTP-së në një sulm ajror në Kabul, më 9 tetor. Nuk ka ende konfirmim nëse udhëheqësi i TTP-së, Noor Wali Mehsud, ka mbetur i vrarë në këtë sulm.
Zyrtarë nga Irani, Arabia Saudite dhe Katari kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe dialog mes dy vendeve.
Ministria e Jashtme e Pakistanit deklaroi se vendi respekton sovranitetin afgan, por është i përkushtuar të ndërmarrë çdo hap për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe qytetarët e tij.