
Gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e zhvilluar në stadiumin e Leskovcit, tifozët serb kanë bërë thirrje provokuese, duke brohoritur në kor “Kosova është Serbi”. Këto thirrje dhe shfaqjet me flamurin serb mbi hartën e Kosovës kanë nxitur reagime të forta.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dënuar ashpër këto veprime, duke i cilësuar si një nxitje të urrejtjes dhe mesazhe fyese që cenojnë frymën sportive dhe vlerat e respektit që përfaqësojnë UEFA dhe FIFA.
Në një postim zyrtar, FFK shpreh keqardhjen për përsëritjen e skenave të tilla në stadiumet serbe dhe njofton se do të paraqesë një notë proteste pranë UEFA-s, duke kërkuar masa të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për këto veprime.
Në të njëjtën kohë, Federata uron Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0, duke vlerësuar përkushtimin dhe forcën e ekipit shqiptar.
FFK thekson se do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, respektin dhe barazinë mes popujve, duke kërkuar që fushat e futbollit në Evropë të jenë vende të lojës dhe jo të urrejtjes.