Vendosni fjalën kyçe....

Si arriti një pensionist holandez të gjente në Argjentinë, pikturën e grabitur nga Nazistët


Specialisti holandez i sistemeve, Paul Post, i kishte parë më parë fletoret që përmbanin ditarët e babait të tij të kohës së Nazizmit, por kur i rizbuloi ato në një papafingo 15 vjet më parë, si pensionist  tashmë kishte kohë t’i ekzaminonte nga afër.

Post, 74 vjeç, nuk kishte asnjë ide se ato përfundimisht do e çonin në Argjentinë, ku në shtator, vajza e një zyrtari të lartë Nazist u akuzua për fshehjen e një pikture të shekullit të 18-të, të grabitur gjatë Holokaustit.

Në ditarët e tij, babai i Post-it përshkruante punën në zyrën e diamanteve të Holandës kur ajo u mor nën kontroll nga Nazistët. Teksa Post filloi të hulumtonte ngjarjet, një emër i ra në sy: zyrtari Nazist Friedrich Kadgien.

Kadgien mbikëqyrte grabitjen e diamanteve dhe arit nga vendet e pushtuara nga Nazistët. Post filloi të ndiqte lëvizjet e Kadgienit pas luftës, me shpresën për të zgjidhur misterin e diamanteve që historianët thonë se ende mungojnë. Rastësisht, ai mësoi se Kadgien besohej të kishte pasur edhe art të grabitur.

Gjuetia e çoi atë dhe gazetarët holandezë në shtëpinë e qetë të Patricia Kadgien, 60 vjeçe, në lagjen rezidenciale të qytetit bregdetar Mar del Plata, në provincën e Buenos Aires, ku “Portreti i një Zonje” kishte qenë varur dukshëm në dhomën e saj të ndenjes. Reporterët e zbuluan atë në një listim pronash për shitje në susht.

Avokati i saj, Carlos Murias, i tha Reuters se ajo nuk dinte për pretendimet se piktura ishte grabitur nga koleksioni i tregtarit hebre të artit, Jacques Goudstikker, dhe ajo mohoi se e kishte fshehur atë.

Zbulime të lidhura me Nazistët si ky herë pas here shfaqen në Argjentinë, e cila pas luftës priti si të mbijetuar të Holokaustit, ashtu edhe dhjetëra kriminelë lufte Nazistë, përfshirë Adolf Eichmann dhe Josef Mengele.

Në Shkurt, Presidenti Javier Milei u takua me përfaqësues të “Qendrës Simon Wiesenthal”, të cilët kërkuan ndihmë për të aksesuar materiale për të hetuar aktivitetet bankare Naziste në Argjentinë. Dhe Majin e kaluar, Gjykata Supreme njoftoi se kishte gjetur mijëra fletushka anëtarësie të organizatës së punës Naziste në arkivin e saj në bodrum.

Roli i papritur i Post-it në zbulimin e pikturës nënvizon kompleksitetin e gjetjes së artit të grabitur nga Nazistët sot. Rreth 600,000 vepra arti u vodhën nga familjet hebreje, dhe më shumë se 100,000 nuk janë kthyer kurrë.

“Unë jam thjesht një amator, nuk jam historian, asgjë fare,” tha Post.

“E dija që kisha të drejtë për Kadgienin.”

Rindërtimi i ditarëve të luftës së babai të tij

Në vitin 2010, familja e Post po pastronte shtëpinë e nënës së tij në Driehuis, një qytet pak jashtë Amsterdamit. Në papafingo, ata gjetën tre ditarë të shkruar nga babai i tij, i cili vdiq në vitin 1976 në moshën 60 vjeçare.

Në ditarë, ëim Post rrëfente se si në vitin 1942 Nazistët urdhëruan tregtarët e diamanteve të vendit të dorëzonin gurët e tyre të çmuar, duke konfiskuar rreth 71,000 karatë në Bursën e Diamanteve të Amsterdamit.

Paul Post, atëherë i sapo dalë në pension nga Heëlett-Packard, filloi të vizitonte arkivat kombëtare të Holandës për të hulumtuar konfiskimin e diamanteve. Aty hasi në emrin e Kadgienit.

Pak para dorëzimit të Gjermanisë në Maj 1945, Kadgien u arratis në Zvicër, ku zyrtarët morën një sinjal se ai kishte kryer transferta të mëdha diamantesh, sipas Regula Bochsler, një historiane në Cyrih. Por në vitin 1950, Kadgien mori një vizë për të udhëtuar në Brazil, duke shkuar përfundimisht rrugën për në Buenos Aires.

Post kontaktoi gazetën holandeze Algemeen Dagblad për të ndarë rrëfimin e babait të tij për bastisjen e diamanteve, dhe në vitin 2015, reporteri investigativ Cyril Rosman publikoi një shkrim rreth ditarëve. Posti më vonë botoi librin “Grabittja e Diamanteve” (The Diamond Heist) mbi këtë temë.

Në vitin 2020, Post vuri re se Agjencia e Trashëgimisë Kulturore e Holandës kishte listuar Kadgienin në internet si dikë që mund të kishte pasur “Portretin e një Zonje” nga artisti italian Giuseppe Ghislandi, – edhe pse historianët e artit kanë thënë se piktori ishte ndoshta bashkëkohësi i tij Giacomo Ceruti, – si dhe një pikturë nga Abraham Mignon. Ai u takua me studiuesin e agjencisë, Perry Schrier, dhe i tha atij se kishte gjurmuar familjen e Kadgienit në Mar del Plata. Por Schrier, i cili konfirmoi se ishte takuar me Post-in, nuk mundi ta ndihmonte.

“Unë thashë, ‘mendoj se e di vendndodhjen, ku mund të jetë, dhe ajo është në Argjentinë’,” kujtoi Post. “Por ai tha, ‘Po, në rregull, mund të jetë e mundur, por si mund ta dimë se është në mur në shtëpitë e tyre?'”

Në Qershor 2024, Post kontaktoi Yael ëeitz, një avokate për familjen e Goudstikker. Në një shkëmbim email-esh të parë nga Reuters, ai i ofroi të jepte pista për dy pikturat e humbura nëse ajo mund t’i jepte atij informacion rreth Kadgienit. Ajo përfundimisht tha se ekipi i saj nuk kishte asgjë për të ndarë.

Post më pas iu drejtua sërish gazetarëve. Prillin e kaluar, ai kontaktoi Rosmanin me më shumë informacion rreth udhëtimeve të Kadgienit pas luftës. Ata kishin provuar të kontaktonin vajzat e Kadgienit në Argjentinë gjatë viteve dhe Rosman i kërkoi Peter Schouten, një gazetar i pavarur në Buenos Aires, të provonte përsëri.

“Ne nuk po kërkonim pikturat në veçanti,” tha Rosman.

“Në atë kohë po mendonim kryesisht për diamantet që u grabitën, kështu që donim të dinim se çfarë ndodhi me to.”

Kur Schouten i ra ziles në shtëpinë e Patricia Kadgien në Gusht, nuk pati përgjigje. Por ai pa një tabelë “prona shitet” në oborrin e saj. Reporterët kontrolluan listimin e pronës për shitje dhe zbuluan pikturën në një nga fotot e pronës. Mezi u besuan syve.
“Mendova, në rregull, a është vërtet kaq e thjeshtë, një pikturë që mungon për 80 vjet është këtu sipër një divani në dhomën e ndenjes?” tha Rosman.

Një ditë pasi ata publikuan një histori rreth zbulimit të pikturës, policia bastisi shtëpinë. Por në vend të pikturës ishte një tapiceri me kuaj. Tetë ditë më vonë, avokati i Kadgienit ia dorëzoi pikturën autoriteteve.

Prokurorët federalë kanë akuzuar Patricia Kadgien, e cila drejton një biznes të vogël veshjesh, dhe burrin e saj, Juan Carlos Cortegoso, një mekanik, për fshehje sendesh të vjedhura dhe po hetojnë më shumë se 20 vizatime dhe printime, si dhe dy portrete, të sekuestruara gjithashtu nga shtëpia e tyre dhe nga shtëpia e motrës së Patricia-s në Mar del Plata.

Pretendime për pikturën

Familja e Goudstikker ka luftuar për dekada për të rimarrë pikturat e tij.

Koleksionisti i artit vdiq kur ra në hapësirën e një anijeje ndërsa po ikte nga Nazistët që po përparonin drejt familjes së tij në Maj 1940. Por në një libër të vogël të zi, ai kishte listuar “Portretin e një Zonje” së bashku me më shumë se 1,000 pjesë në koleksionin e tij.

Në atë që historianët e përshkruajnë si një shitje të detyruar pas vdekjes së tij, zyrtari i lartë Nazist Hermann Goering bleu rreth 800 nga pikturat e Goudstikker. ëeitz, avokatja që përfaqëson familjen e Goudstikker, tha se bashkëpunëtori i Goering, Alois Miedl, i shiti “Portretin e një Zonje” Kadgienit në vitin 1944.

Familja ka rimarrë 300 deri në 350 vepra arti, duke përfshirë 200 që kishin qenë kryesisht të varura në muze që Holanda ra dakord t’i kthente në vitin 2006.

Charlene von Saher, mbesa e Goudstikker, e cila jeton në Greenwich, Connecticut, tha se familja e saj informoi familjen Kadgien për pretendimin e tyre ndaj “Portretit të një Zonje” pasi gazetarët publikuan historinë e tyre. Paolo Plebani, kurator në Açademia Carrara në Bergamo, tha se ajo vlen më shumë se 100,000 dollarë, por avokatët për familjen Goudstikker thanë se është e pamundur të përcaktohet vlera para se të ekzaminohet gjendja dhe të konfirmohet identiteti i artistit.

“Unë thjesht shpresoj se ata do jenë njerëz që do e ndiejnë dëshirën për të bërë gjënë e duhur dhe për të korrigjuar një padrejtësi historike,” i tha von Saher Reuters, duke thënë se zbulimi ishte “si një film.”

Por Patricia Kadgien nuk është dorëzuar. Ajo ka paraqitur një kërkesë në gjykatën civile ku thotë se kunata e babait të saj e bleu pikturën nga Muzeu ëallraf-Richartz në Këln në vitin 1943. Ajo tha se piktura ishte “legjitimisht e zotëruar” nga babai i saj dhe se ajo e trashëgoi pasi ai vdiq. Muzeu i tha Reuters se piktura nuk ishte kurrë pjesë e koleksionit të tij.

Kërkesa tha se ajo e hoqi pikturën nga shtëpia e saj “për arsye sigurie,” duke menduar se ishte viktimë e “një mashtrimi virtual” kur filloi të merrte telefonata nga një gazetar në Gusht.

Sa i përket Post-it, ai ende dëshiron të dijë se çfarë ndodhi me diamantet që ishin të lidhura me Kadgienin. Martinez, prokurori, tha se autoritetet nuk gjetën xhevahire me vlerë ose nga periudha e luftës në shtëpinë e Mar del Plata.

Saskia Coenen Snyder, një profesoreshë holandeze e historisë moderne hebraike në Universitetin e Karolinës së Jugut, tha se është shumë e vështirë të provohet se Nazistët morën diamante me vete në Amerikën e Jugut.

“Unë do t’i jap atij meritat për të paktën shpenzimin e viteve të kohës së tij duke ndjekur, duke zbuluar histori dhe të vërteta që jo të gjithë duan t’i bëjnë ose kanë qenë në gjendje,” tha ajo për Postin.

“Ai është si një pit bull.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani