
Britania e Madhe njoftoi të shtunën se dy avionë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) kryen një mision të përbashkët 12-orësh këtë javë, bashkë me forcat amerikane dhe NATO-n, për të patrulluar përgjatë kufirit me Rusinë, përcjell REL.
Ky mision erdhi si përgjigje ndaj një serie shkeljesh të hapësirës ajrore të NATO-s nga dronë dhe avionë rusë në ditët e fundit.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, theksoi rëndësinë e këtij operacioni:
“Ky ishte një mision i rëndësishëm së bashku me aleatët tanë nga SHBA dhe NATO. Ai jo vetëm që na siguron informacione të vlefshme për të forcuar ndërgjegjësimin operacional të Forcave tona të Armatosura, por gjithashtu dërgon një mesazh të fuqishëm Putinit dhe kundërshtarëve tanë se NATO-ja është e bashkuar.”
Në kuadër të operacionit, një avion vëzhgues elektronik RC-135 Rivet Joint dhe një avion patrullimi detar P-8A Poseidon fluturuan në rajonin Arktik, duke kaluar pranë Bjellorusisë dhe Ukrainës. Ata u mbështetën nga një avion furnizues amerikan KC-135.
Britania shtoi se misioni u organizua pas shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë.
Më herët këtë muaj, udhëheqësit e Bashkimit Evropian miratuan plane për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve rusë, duke shprehur shqetësimin në rritje për kërcënimet në rajon.